Takimi në Rashkë / Vuçiq tregon se si Kurti përmes zgjedhjeve po mundohet ta pengojë formimin e Asociacionit

Lajme

Takimi në Rashkë / Vuçiq tregon se si Kurti përmes zgjedhjeve po mundohet ta pengojë formimin e Asociacionit

Më: 13 prill 2023 Në ora: 07:01 Përditësuar në ora: 14:00 më 13.04.2023
Aleksander Vuçiq

Vuçiq: Kurti nuk e do Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron të provokojë që të lindin me çdo kusht konflikte të reja, sipas tij, “ai nuk është i interesuar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Këto deklarata, Vuçiq i bëri në Rashkë gjatë një takimi që  pati me përfaqësuesit e politikanëve serbë në Kosovë.

“Ne nuk do të pajtohemi me mashtrimet e tyre”, tha Vuçiq.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të serbëve në Kosovë, ai deklaroi se e dinte se ata “morën vendim që të mos marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës” dhe iu bëri thirrje “të gjithëve të jenë të bashkuar”.

Vuçiq tha se “Kurti insiston në zgjedhje në veri të Kosovës për të thënë më vonë se Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi nuk janë komuna serbe, kështu që nuk mund të formojnë Asociacionin”.

Ai deklaroi gjithashtu se Beogradi ka dërguar një propozim më shumë se kompromis për targat e veturave, por nëse nuk pranohet, sipas tij “përgjigja do të jetë serioze ndaj palës që përdor forcën dhe keqtrajton serbët”.

Serbia ndan 28 milionë euro shtesë në përkrahje të serbëve nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova prezantoi masat e përgatitura nga qeveria në Beograd për serbët në Kosovë duke thënë se “janë planifikuar edhe 28 milionë euro shtesë”.

Në takimin që u mbajt në Rashkë, Vuçiq tha se kanë disa çështje të rëndësishme dhe masa sociale dhe ekonomike për të cilat janë marrë vesh në ndërkohë.

“Erdha me kërkesa të gatshme që  Ana, ministrat përkatës dhe unë bashkë me Zyrën për Kosovë t’i bënim dhe më pas do të shkojmë te situata politike dhe e sigurisë, te problemet e sigurisë, politike… Në përputhje me atë që do të thoni, ne do të nxjerrim konkluzione të caktuara, do të mundohemi ta obligojmë edhe Qeverinë edhe Presidentin që të veprojnë në përputhje me rrethanat”, tha ai.”, shkruan N1.

“Në total – ajo që kemi parashikuar – janë 28 milionë euro, përveç asaj që deri më tani kemi ndarë dhe kemi vendosur për Kosovën dhe këto mjete financiare janë menjëherë në dispozicion”, deklaroi Vuçiq.

Vuçiq takohet në Rashkë me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova në Rashkë, që gjendet në jug të Serbisë.

Në këtë takim, që është i hapur për publikun, po marrin pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministra të tjerë serbë.

Gjatë takimit ai tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiq tha se duhet të formohet Asociacioni në mënyrë që serbët të kthehen në institucione.

Presidenti serb në nisje të takimit prezantoi stimuj ekonomikë për komunitetin serb në Kosovë, që tha se do të financohen nga buxheti i Serbisë.

“Dhe pastaj do të shkojmë te situata e sigurisë politike, siguria dhe problemet politike”, tha ai.

Vuçiq tha se në përputhje me atë që përfaqësuesit politikë të serbëve do të thonë në takim, do të "bëjnë konkludime" dhe do të mundohen t’i obligojnë autoritetet serbe që t’iu përmbahen atyre.

Vuçiq kishte njoftuar për këtë takim në Rashkë javën e kaluar, kur ai tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova do të dalin me një “platformë të përbashkët” për zgjedhjet në veri të Kosovës “dhe për të gjitha ngjarjet e ardhshme”.

Siç ka thënë ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë, por Vuçiq nuk ka treguar konkretisht se për çfarë masash bëhet fjalë.

Presidenti serb po ashtu ka përsëritur se “përfaqësuesit serbë” nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që planifikohen të mbahen më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri. Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje./REL

Vuçiq sot në Rashkë, takon serbët e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot në ora 12:00 në Qendrën e Kulturës në Rashkë do të takohet e përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

Siç njofton Zyra për Bashkëpunim me Media e Vuçiq, në takim do të marrin pjesë kryeministrja Ana Brnabiq dhe anëtarë të Qeverisë së Serbisë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë sot se përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova do të kenë takim me presidentin, kryeministrin dhe ministrat “do ta përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë dhe Metohi”.

“Edhe një herë do të paraqesim gjithçka që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti po bën me qëllim që t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë dhe Metohi, duke filluar nga arrestimet dhe akuzat, e duke përfunduar me tentativën e vrasjes së (Milan Jovanoviqit afër Urës së Bistricës),” ka akuzuar Simiq në televizionin Pink.

Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.

Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.

Në atë vend është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës dhe më 10 prill, aty ka ndodhur një incident, ku ka mbetur i plagosur Milan Jovanoviq.

Në protestë, serbët lokalë kanë iniciuar edhe një peticion për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.

Policia e Kosovës, e cila fillimisht mohoi përfshirjen në incident, suspendoi katër policë që dyshohet se ishin të përfshirë në të shtënat.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar hetim urgjent të rastit, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se hetimet e para kanë treguar se shoferi nuk është ndalur në sinjalin e policit, i cili më pas ka shtënë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat