Në takimin e mbajtur dje në Rashkë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësues të serbëve nga veriu dhe pjesët tjera të Kosovës, janë zbrazur nga të pranishmit aq shumë sharje, fyerje, akuza, nënçmime dhe pretendime për zhdukjen “e armikut e shekullor” të serbëve, pra të shqiptarëve, duke filluar nga vetë kreu i shtetit serb, A. Vuçiqi, e deri tek folësi i fundit, ku lirisht mund të thuhet, se diçka e këtillë nuk është dëgjuar që nga koha e kriminelit S. Millosheviç..!?
"Unë këtu do ndalëm për shkak të hapësirës vetëm në deklaratat kryesore çetniko-fashiste të thëna nga njeriu më përgjegjës i Serbisë, i cili në vend se t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, së paku pas marrëveshjes së Ohrit, ai hapur para opinionit serb, shqiptar dhe atij ndërkombëtar, shpalosi planin më të zi të Serbisë ndaj “Kosovës dhe Metohisë”, siç tha, ndaj shtetit të rremë të shqiptarëve, siç e quan ai gjithmonë Republikën e Kosovës, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj Kosovës, po qese “qeveria e rrejshme” e saj do vazhdon me terrorizimin dhe provokimin e serbëve në veri të Kosovës, duke i detyruar, gjithnjë sipas tij, që t’i lëshojnë vatrat e tyre shekullore..!?
Madje, nga ky takim A. Vuçiq e ka kërcënuar direkt qeverinë e Kosovës, se nëse nuk i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, sidomos asaj për formimin e Zajednicës serbe, Serbia do të ndërmarrë masa kushtetuese ndaj sjelljeve të pushtetarëve të Prishtinës, të cilat do t’i vetëdijesojnë njëherë e mirë shqiptarët që ta kuptojnë se kanë të bëjnë me një shtet serioz dhe të fuqishëm ushtarakisht dhe ekonomikisht siç është Serbia..!?
Më poshtë po i sjellim të përkthyera deklaratat kërcënuese dhe ofenduese të presidentit serb ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të cilat i ka dhënë në këtë takim, por me të cilat duhet të njoftohet i gjithë opinioni shqiptar në Kosovë dhe gjithandej ku ka shqiptarë nëpër botë:
- E kuptoj mllefin tuaj, frikën tuaj, hidhërimin tuaj, shqetësimet tuaja që i keni përditë në Kosovë, e di se ka shumë vite që kundër popullit serb po bëhet një fushatë e egër, në të cilën shpeshherë ne bëhemi pjesë e saj, duke viktimizuar njerëz të cilët punojnë për shërbime të huaja sekrete. Pra, unë kam refuzuar të jem pjesë e rrjetit linçues kundër Millanit, Sreçkos, etj., pra ndaj djemve më të mirë serbë në veri të Kosovës, sepse e kam ditur se ata (pushtetarët në Prishtinë) duan që me çdo kusht t’i dëbojnë nga Kosova djemtë më të aftë dhe më të guximshëm serbë në Kosovë, që pastaj të mos ketë kush t’iu kundërvihet planeve të tyre për shtrirjen e plotë të pushtetit në veri. Prandaj për këtë shkak po na i burgosin njerëzit tonë në pikat administrative, duke i përndjekur ata kudo dhe në çdo hap, andaj për këtë arsye edhe kanë gjuajtur në ty (Sreçko), në Jovanoviçin, për t’iu dërguar mesash, se këtu nuk mund të bëni çfarë të doni. Pra, i bëjnë këto provokime në masë të kufizuar, ngase e dinë mirë se nëse duhet mbrojtur Jovanoviçin dhe të tjerët, e tërë Serbia do qëndron krah tyre..!?
- E di se kësaj propagande nuk e kemi lehtë t’i kundërvihemi, sepse kemi ministra që nuk e dinë se çfarë janë duke hequr serbët në Kosovë, dhe çfarë duhet të bëjnë serbët atje, të cilëve iu mbyllën rrugët kryesore që çojnë në Serbi. Pra, sa vështirë e kanë që çdo ditë të luftojnë për jetën vetëm për të mbijetuar në Kosovë.
- Këtu në sallë i kemi prezent njerëzit e ushtrisë, shërbimeve sekrete, dhe mos të mendojnë (shqiptarët) se ne nuk i kapim dhe incizojmë të gjitha bisedat e tyre kundër nesh, i dimë të gjitha qëllimet dhe planet e tyre në veri, etj.. Pra, të gjitha bisedat e tyre shërbimet tona i kanë mbi tavolinë. Por, unë nuk e kuptoj pse ju që e merrni fjalën këtu nuk keni guxim t’i shprehni mendimet, idetë dhe propozimet tuaja deri në fund. Kujt i frikësoheni, unë e di se cilat janë ëndrrat, qëllimet dhe dëshirat tuaja, dhe, më kujtohet se kur ndodhën ato ngjarjet në shtator-dhjetor të vitit të kaluar, ju ishit të gatshëm të luftoni, siç i kuptoja edhe dëshpërimet tuaja si dhe mos pranimin e propozimit tim që të tërhiqen barrikadat. Dhe, ju mendoni se ky vendim për mua ishte i lehtë, ani se unë, Sreçko, i kuptoja të gjitha dëshirat tua, e kam ditur fare mirë se çka mendon Simiqi, Rakiçi dhe të gjithë ne të tjerët, ndaj mos mendoni se unë jam i pashpirt, jo, por dikush është dashur ta merr përgjegjësinë që të merr vendim të drejtë në ato çaste të vështira, prandaj mendoni se sa koka tona i kemi shpëtuar, dhe ajo që unë nuk mundem ta kuptoj, është se si Evropa çdo ditë i sheh gjitha ato provokime të policisë së Prishtinës ndaj popullatës serbe, dhe ata fare nuk reagojnë, heshtin pa thënë asgjë. Më thoni, pse ata (shqiptarët) po i ndërtojnë ato baza në veri, me qëllim që t’i provokojnë serbët e që në një moment të volitshëm ta fillojnë konfliktin me Serbinë. Ne nuk dëshirojmë konflikt me ta, ne e dimë se problemi këtu ka përmasa shumë më të gjera, ani se ata e dinë se këtu mund të ndodh diçka më e madhe, dhe në atë rast ne do t’i mbrojmë vëllezërit tonë në Kosovë, ndaj edhe nuk shkojnë më tutje në provokime.
- Me këtë rast dua t’u tregoj për herë të parë, se kur në veri hynë forcat speciale të policisë nga Prishtina, duke menduar se e çliruan Mitrovicën veriore, mirëpo ishin djemtë tonë më të mirë nga veriu të cilët hynë dhe e morën Mitrovicën, e kthyen në territor të lirë, dhe të gjithë ishin me maska përveç njërit (Vuçiq merr duartrokitje të gjata). Unë e kuptoja gëzimin tuaj, por iu kam lutur që mos të ndërmerrni asnjë aksion, i kam parë gratë tona të cilat i puthshin djemtë tanë për guximin e tyre që t’i kundërvihen njësisë speciale ROSU. Ata e mbajnë një vit e gjysmë në burg serbin, Dejan Spahiq, për gjoja vepra “ilegale”, ndërsa shqiptarin i cili ka shtënë me armë ndaj fëmijëve serb e lëshojnë pas dy javëve nga burgu. Pra, nuk dua ta fshehë, se ne duhet të kemi durim dhe përmbajtje, të presim, dhe vetëm të presim.. (kohë më të përshtatshme, v.j.), sepse ne e dimë se mbi Jovanoviçin dhe Sofranijeviçin është gjuajtur me armë vetëm pse janë serbë. Madje ata më qëllim e kanë harruar marrëveshjen për targa të viti 2011, dhe se çka do që ne merremi vesh me ta, ata nuk duan të realizojnë asgjë nga ajo. Mbase edhe evropianët më thonë se ajo marrëveshje (për targat) nuk ka afat për zbatimin e saj, por atyre nuk ua ndien fare, bile kur iu them për këtë, ata më përgjigjen; nuk kemi çfarë t’iu bëjmë, Kosova është shtet sovran, ata bëjnë çfarë të duan. Por, kur i pyes së ku shkruan se Kosova është shtet sovran, ata më thonë se kështu shkruan në ministritë e tyre të jashtme, ani se një gjë e tillë nuk shkruan në Rezolutat e OKB-së, por kjo as që iu intereson atyre, duke shkelur kështu sistemin e të drejtës ndërkombëtare i përcaktuar sipas vendimeve Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
- Pastaj, duke mos dashur t’i dëmtojmë serbët në jug të Ibrit, të cilët mbajnë targa të RKS-së, ne do e presim përgjigjen nga Prishtina, dhe nëse nuk përgjigjen pozitivisht edhe ne do veprojmë sipas ligjeve tona, dhe pastaj do ta shohin se si do sjellën kur duan të hyjnë në Serbi. Pra, nëse ata (zyrtarët në Prishtinë) nuk duan t’u lejojnë serbëve targa legjitime të lëshuara në Serbi, atëherë si mund të presim se ata do ta formojnë Zajednicën..!?
- Po ashtu, unë e di se lajmi i vetëm i cili kishte me iu gëzuar juve, do ishte po sikur t’iu thosha se ushtria e Serbisë nesër do hynë në Kosovë, ngase ju tek atëherë do ndjeheshit të sigurt (pason duartrokitje e gjatë). Pra, unë iu kuptojë fare mirë se çfarë ju mendoni, por unë si kryetar i juaj dhe komandant suprem i forcave të armatosura, mendoj se kjo nuk do të ishte zgjidhja adekuate në këtë moment, sepse ne duhet të udhëheqim politikë të përgjegjshme, dhe, më kujtohet mirë se çka kam përjetuar në takimin e fundit që kemi pasur këtu në Rashkë, kur kam kërkuar nga ju që t’i largoni barrikadat, duke e ditur se atë natë isha personi më sharë në botë, por e di që nuk ia kam huq. Ai ishte një vendim i drejtë, ndaj ne duhet të presim, dhe vetëm të presim, ta ndërtojmë Serbinë, por siç jemi marrë vesh në takimin e kaluar, nëse rastësisht do ndodhë dëbimi me dhunë i serbëve nga Kosova, ne do të ndërhyjmë dhe Serbia kurrë nuk do ta lejon një gjë të tillë (prapë apllauzë e gjatë). Kur ua them këtë, ua them me përgjegjësi të plotë, sepse unë nuk ngutëm dhe do bëjë çdo gjë që tek kjo situatë të mos vije kurrë. Nëse populli ynë do jetë i sulmuar, unë nuk do veprojë, herë nisu, herë ndalu, ngase unë nuk jam as Millosheviçi, as Tadiçi, e as Koshtunica (apllauzë e gjatë), kështu që do iu lus pandërprerë që të duroni dhe ta ruajmë paqen, ngase paqja është interes i juaj dhe i yni, është interes i gjithë vendit tonë, i Serbisë.
- Ne duhet të bisedojmë me shqiptarët, e di se mes nesh ka koka të ndezura të cilat nuk i duan bisedimet, por ato janë edhe zgjidhja më e mirë. Ne u kemi dërguar propozimin tonë për zgjidhjen e çështjes së targave, por nëse ata nuk e pranojnë, atëherë ne do detyrohemi të ndërmarrim masa sipas ligjeve tona. Dhe, vërtetë unë nuk e kuptoj budallallëkun e Prishtinës rreth targave, pse veprojnë kështu, pse e bëjnë këtë me qytetarët e vetë, siç thonë në shtetin e tyre imagjinar, nëse kjo nuk është vetëm provokim i qëllimshëm për nxitjen e konflikteve më të mëdha në veri.
- Kur është fjala për tensionet e kaluara në veri, më duhet t’iu them se amerikanët kanë qenë mjaftë korrekt, të matur dhe profesional në qëndrimet e tyre. Ne do ta ndihmojmë rajonin e Anamoravës ku jetojnë serbët, Graçanicën, Budrigën, Kllokotin si dhe katër komunat në veri, pra do investojmë sa më shumë në infrastrukturë që t’iu sigurojmë fëmijëve serbë jetë të lirë dhe të dinjitetshme.
- Unë nuk i shmangëm akuzave të Osmanit (presidentes Vjosa Osmani), e cila më akuzon se ne po ushtrojmë paramilitarë serb në Serbi, po, i them asaj, ne i ushtrojmë ushtarët tanë të cilët i shërbejnë vendit të tyre, pra edhe serbët nga Kosova, por ata nuk e kuptojnë se gjithë serbët atje i shërbejnë vendit të tyre, me përjashtim të disa personave të cilët marrin pare nga shërbimet e huaja dhe ato shqiptare, duke thënë se ata nuk jetojnë në Serbi, por në një shtet tjetër. Pra, nuk e kuptojnë (Prishtina) se gjithë njerëzit tonë që jetojnë atje (në Kosovë) janë rezervistët tanë. Të kujt do të ishin pra, mbase edhe këtë doni të na e ndaloni, apo..!? Si mendoni që djemtë tanë të shërbejnë në ushtri të huaja për ta luftuar më pas popullin e vetë.... çfarë absurdi..!? Pra, më bëni sa të doni akuza, por djemtë e Serbisë në veri apo në jug të Kosovës askush nuk mund t’i ndalojë që të shërbejnë në ushtrinë e shtetit të tyre. Këtë të drejtë Serbisë, kurrë dhe askush nuk do mund t’ia ndalojë, dhe, këtë duhet ta kuptojnë mirë ata që më bëjnë akuza nga Prishtina (apllauzë e gjatë).
- Lotët tona nuk kanë prindër, ata (ndërkombëtarët) po përpiqen që ta pastrojnë ndërgjegjen e tyre për agresionin kundër-ligjor ndaj Serbisë të bërë në vitin 1999, ngase e dinë se i kanë shkelur të gjitha normat e të drejtës ndërkombëtare, prandaj edhe duan që kjo çështje të mbyllet sa më para, në mënyrë jo të drejtë dhe kundër të drejtës, e cila po shndërrohet në një diskurs, i cili do të prodhojë gjithmonë jo stabilitet në Ballkan me pasoja negative (e ka fjalën për marrëdhëniet shqiptaro-serbe), sepse atyre në Perëndim kjo gjë fare nuk iu intereson.
- E jona është që të bisedojmë, që të tentojmë t’i normalizojmë marrëdhëniet me shqiptarët, të bashkëjetojmë, por frikësohem se këtë dikush nuk e dëshiron, sepse po ta dëshironte normalizimin, nuk do dërgonte çdo ditë mesazhet më të këqija juve, neve në Serbinë qendrore, por edhe gjithë atyre të cilët kërkojnë kompromis për gjetjen e një zgjidhjeje të mirë. Për ata (shqiptarët) fjala kompromis është e padëshiruar, për neve është fjalë e mirë, dhe ne duhet të qëndrojmë në këtë kërkesë.
- Ti Sreçko, ke thënë se do ishte mirë që KFOR-i të dërgonte në veri njësi ushtarake nga vendet mike, por ato e kanë komandën unike, dhe, ne e dimë mirë se cilat njësi dhe nga cili kontingjent i KFOR-it kanë dashur që me serbët në veri t’i qërojnë hesapet me armë gjatë kohës së barrikadave në fund të vitit të kaluar. E dimë po ashtu se cilat vende kanë dashur ta bëjnë një gjë të tillë në veri, por jemi befasuar me qëndrimin e amerikanëve të cilët kanë qenë mjaft të përmbajtur dhe profesional, dhe këtë duhet ta keni parasysh. Në këtë qërim hesapesh me serbët në veri ka insistuar një shtet i fuqishëm në Evropë, i cili është dalluar në kërkesat për t’i dalë në ndihmë Ukrainës, pra ka insistuar që me serbët në veri të qërohen hesapet me mjete ushtarake.
Në fund të këtij takimi presidenti serb, A. Vuçiq, i propozoi qeverisë së tij që t’i aprovojë 5 pika obliguese lidhur me Kosovën:
1.), të kërkohet reagimi urgjent nga BE-ja dhe organet tjera të saj, si dhe nga institucionet botërore që të kërkojnë nga qeveria e përkohshme në Prishtinë që ajo menjëherë ta ndërpres shkeljen e marrëveshjes për targa, që serbëve të mos iu pengojnë lëvizjen e lirë, atyre të cilët bartin targa legale në automjetet e tyre të regjistruara në Serbi. Pra kërkojmë që Prishtina të veprojë në harmoni me dokumentet dhe ligjet ndërkombëtare për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe t’i përmbahet marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Po ashtu, pala serbe duhet të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për zbatimin e plotë të marrëveshjeve në fjalë. Në të kundërtën ne do marrim masa drastike në mbrojtje të Kushtetutës sonë.
2.), Kërkesa për formimin pa kushte të Zajednicës serbe në Kosovë, dhe kjo kërkesë është parakusht i të gjitha vendimeve për vazhdimin e bisedimeve në të ardhmen, si dhe për kthimin e serbëve në institucionet e Prishtinës, por edhe për çdo angazhim tjetër politik. Qeverisja e përkohshme në Prishtinë është e obliguar që formimin e Zajednicës ta bën në harmoni me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel, të cilat janë edhe pjesë e Planit të implementimit të marrëveshjes së Ohrit, i pranuar nga ana e tyre.
3.), Forcat speciale policore shqiptare të Prishtinës po veprojnë në veri në mënyrë antiligjore, të cilat çdo ditë po i maltretojnë serbët të cilët jetojnë aty, duke ushtruar dhunë dhe terror ndaj tyre. Faktorët ndërkombëtarë janë të gjithë të njoftuar me këtë, dhe nga sot ne do kërkojmë tërheqjen e tyre sa më para nga veriu.
4.), shteti i Serbisë kurrë nuk ka marrë pjesë në marrjen e vendimit që serbët në veri të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të parapara të mbahen me 23 prill, por Serbia kurrë nuk do ta lenë vetëm popullin e saj në Kosovë. Pra, ne do e respektojmë vendimin e Listës Serbe për mos pjesëmarrje në ato zgjedhje, siç kemi kërkuar që këto zgjedhje të mbahen pasi që të formohet Zajednica serbe në Kosovë.
5.), Republika e Serbisë do i ndërmerr të gjitha masat për ruajtjen e jetëve të serbëve në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave të tyre etnike dhe politike, me qëllim për t’iu siguruar jetë të sigurt, zhvillim dhe përparim në të gjitha sferat e jetës. Do t’i ndihmojmë financiarisht, ekonomikisht si dhe në aspektin social të tyre.
Këto konkluza janë obligative për çdo funksionarë shtetëror, për çdo institucion qeveritar dhe komisione gjegjëse, të cilat merren me kujdesin për serbët në Kosovë."/ Përktheu dhe përgatiti: Rexhep Elezaj