Një përplasje e papritur ka nisur në rrjetet sociale në Internet mes dy promovuesve më të mëdhenj të idesë së kombit. Bëhet fjalë për përplasjen mes Halil Matoshit dhe Nexhmedin Spahiut.
E gjitha nisi në një status të avokatit Arianit Koci që po thoshte se e jep fenë katolike, fenë myslimane e blla blla për komb.
Kjo menjëherë nxiti reagimin e z. Nexhmedin Spahiu që u shpreh se kombi shqiptar – ashtu si ai kosovar – ishte i kurdisur si komb “myslimano-kristian” dhe jo komb ateist.
Sipas z. Spahiu, nëse nuk je mysliman e as i krishterë – pra, nëse je ateist – nuk je pjesë e kombit shqiptar apo atij kosovar. Ide përjashtuese sa më s’ka!
Halil Matoshi megjithatë i reagoi Spahiut duke u shprehur si vijon:
“Nexhmedin, kombi kosovar në konstitucionin e tij asht komb komunitar e sekularist, sëkëndejmi neutral ndaj feve! Kurrë askund nuk thuhet se asht komb që bazohet në vlerat fetare,” – vërejti ai.
Me Matoshin u pajtua edhe analisti Lulzim Peci.
Por, Spahiu vazhdoi me idenë e tij se shteti mund të ishte neutral ndaj feve por jo edhe kombi.
“Në Kosovë ateistët i kanë të drejtat e barabarta por asnjë festë ateiste nuk është festë kombëtare në Kosovë e askund në Evropë.” – u shpreh Spahiu. Për cilat festa ateiste e kishte fjalën z. Nexhmedin Spahiu, nuk e tha.
Dhe, siç mund të pritej, kjo e nxiti reagimin e ashpër të z. Halil Matoshi që ia tha këto fjalë:
“Ama asnjë lidhje ky ligj ‘demelash’ me kombkrijimin nuk e ka. Je në lajthitje... Ti po bjen në kundërthanie të fellë me teorinë tuej, profesor Spahiu!”
Nuk dihet nëse kjo ‘përçarje’ e Spahiut me Matoshin do të lë gjurmë edhe në promovimin e mëtejmë të kombit kosovar. Megjithatë, dihet se ky debat u nis pikërisht nga përdhosja që i bënte flamurit kombëtar shqiptar një hoxhë me emrin Mazllam Mazllami.