Në fshatin Poklek të Drenasit, ushtria serbe masakroi 53 shqiptarë civil të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar. Dëshmitari Fadil Muqolli rrëfen momentin kur ushtria serbe ia vranë dhe djegën 14 anëtarë të familjes së ngushtë.
Fadil Muqolli kujtimet e masakrës i ka ende të freskëta, andaj edhe shtëpinë ku përjetoi gjithçka e viziton ende.
Familjes së tij ushtria serbe ia vranë dhe djegën 14 anëtarë të familjes së ngushtë.
Prej tyre kishte foshnje gjashtëmuajshe e deri në moshën 75 vjeçare.
"Në këtë masakër mu kanë vra 14 anëtarë, baba, nëna, katër motra, bashkëshortja me katër fëmijë, dhe bashkëshortja e vëllait me dy fëmijë…”, tregon ai.
Muqolli rrëfen momentin kur forcat serbe hynë në shtëpinë e tij në të cilën ishin brenda 57 persona.
“Forcat serbe kanë hy në fshat kanë ardhë dhe i kanë nxjerr jashtë nga kjo dhomë i kanë vendos para shtëpisë dhe i kanë numërua, pas 10-15 minutave kanë hy brenda dhe e kanë marrë babën, nanën dhe i kanë vendos në oborr dhe i kanë ekzekutu, pastaj menjëherë kanë ardhë kanë hy brenda e kanë hap derën dhe i kanë gju dy bomba dore. Në këtë dhomë kanë qenë 57 njerëz brenda, pas qetësimit të bombave kanë hy me pushkë automatike dhe kanë gju derisa ka mendu se i ka vra të gjithë”, rrëfen Muqolli.
Ai tutje rrëfen për momentet e para kur ka hyrë në shtëpi dhe ka parë trupat e familjarëve të vrarë.
“Kemi hy dhe kemi marrë një bateri, qebe, dhe e kemi vendos qeben në dritare mos me u pa drita edhe i kemi bërë bashke eshnat, i kemi vendos në qese dhe i kemi qu në mal deri në përfundimin e luftës kanë qëndrua atje në një bunker, pastaj e kemi bërë rivarrimin”, ka treguar ai.
E me këtë ngarkesë, Muqolli thotë se vazhdon të jetoi çdo ditë.
Të vrarët e masakrës së Poklekut i përkisnin edhe familjeve Caraku, Elshani dhe Hoxha, eshtrat e të cilëve prehen në një varrezë të përbashkët në kompleksin përkujtimor në fshatin Poklek.