Daçiq: Jemi kthyer në “gjendjen para Brukselit”

Lajme

Daçiq: Jemi kthyer në “gjendjen para Brukselit”

Më: 19 prill 2023 Në ora: 23:45
Ivica Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, duke komentuar deklaratën e Gabriel Escobar-it se SHBA-të do t’i njohin zgjedhjet në Kosovë, pa marrë parasysh se Serbia do t’i bojkotojë, tha se kështu “i jemi kthyer situatës para Brukselit”, kur ishte e parëndësishme nëse Serbët kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe në institucione apo jo, raporton N1info.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-të do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës, edhe pse serbët do t’i bojkotojnë ato dhe u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet e Prishtinës.

Daçiq përsëriti se “marrëveshja e re e Brukselit”, pra pranimi i planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nuk do të thotë as njohje de facto e as de jure e Kosovës, dhe se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vetëm verbalisht e pranoi atë plan dhe theksoi qartë, sipas Daçiqit, se vijat e kuqe janë mospranimi i pavarësisë dhe mospranimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Duke iu referuar akuzave nga Prishtina se duke lobuar në Strasburg ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit, e cila parasheh se Beogradi nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Daçiq tha se më mirë “të mbulojnë veshët”.

“Kështu thotë ai që prej 10 vjetësh nuk e zbaton marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Serbia është e vogël, por nuk është budallaqe. Presidenti Vuçiq flet saktësisht, ne nuk do ta zbatojmë atë për të cilën nuk jemi pajtuar”, tha Daçiq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat