Federata Ruse tashmë i ka dalë haptazi në mbështetje Serbisë në një çështje tejet specifike: Themelimin e Asociacionit të Konunave me shumicë serbe. Kështu është deklaruar ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan Harçenko, dhe atë mu në prag të raportimin të çdo gjashtë muajshëm të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i cili do të mbahet më 27 prill.
“(Rusia) qëndron për diskutim produktiv rreth thelbit të problemeve që janë akute për serbët, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë ambasadori rus.
Rusia, e cila është njëra nga Pesë Anëtarët e Përherhshëm të KS OKB’së me të drejtë veto, ka marrë presidencën një-mujore të këtij organi në muajin prill. Andaj edhe me të marrë këtë presidencë e ka thirrur raportimin e UNMIK-ut gjatë prillit.
Harçenko, i cili veçanërisht që nga shfaqja në publik e më pastaj negocimi i Plan-Propozimit të Bashkimit Evropian për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ka rritur paraqitjet e tij mediale, tashmë është kthyer kah një temë: Asociacioni.
“Prishtina i ka injoruar të gjitha obligimet kyçe për një dekadë, dhe ende ia del t’ia mbathë prej tyre”, tha ai javë më parë, referuar Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, siç e citoi shërbimi në gjuhën serbe i REL. Ndërkaq për BE-në dhe ShBA’në, ai shtoi se “ata sërish e treguan mosndershmërinë e tyre”.
Trysnia e Rusisë ndaj Beogradit për planin frankogjerman
Plani evropian i paraqitur që nga shtatori i vitit të kaluar, me iniciativë franko-gjermane, sipas Harçenkos, ishte veçse një “rrugë e tërthorë” që Serbia ta njohë Kosovën. Në rend të parë, tha ai, plani ka për synim Kosovën në OKB, si hap përfundimtar në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit.
Harçenko, u shpjegonte mediave dhe lexuesve serbe se “esenca” e këtij plani,“është njohja”. Sepse po qe se e pranon Beogradi këtë plan, thoshte rusi Harçenko, “atëherë Kosovën e konsideron si subjekt të së drejtës ndërkombëtare”, derisa shton se “atëherë Kosova ekziston si shtet”.
“Sepse plani drejtpërsëdrejti deklaron që Serbia nuk e parandalon hyrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Anipse Perëndimi provon ta paraqesë atë si plan për normalizimin e jo për nohje, esencialisht është njohje. Nëse shteti [serb] jep pëlqimin për anëtarësimin [e Kosovës] në organizata ndërkombëtare, atëherë Kosova në këtë rast është subjekt i të drejtës ndërkombëtare, dhe si shtet anëtar të OKB-së, atëherë Kosova ekziston si shtet”, kishte thënë ai, siç e citonte “Novosti” i Beogradit.