Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq ka përmendur sërish referendumin për refuzimin e planit evropian.
Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë për “ta larguar këtë nga dora e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”.
“Referendumi për planin 'francezo-gjerman', i cili përcakton se Serbia pajtohet me pavarësinë e Kosovës, është i vetmi proces zgjedhor në të cilin Vuçiq mund të humbasë sot.” – ka thënë ai derisa ka folur me disa qytetarë që nënshkruan referendumin.
Jeremiq theksoi se Vuçiq nuk e shpall referendumin, sepse “shpreson se duke e injoruar atë, çështja do të zhduket dhe se nuk do të ketë nevojë të deklarohet për këtë”.
“Çfarë mund të thotë Vuçiq për referendumin? Është e pamundur të shpjegohet pse nuk duhet lejuar populli të thotë fjalën e tij për një çështje kaq të rëndësishme. Asnjë njeri nuk ka të drejtë të veprojë i vetëm dhe të vendosë për çështjen e Kosovës, madje as Vuçiqi.” – tha ai.
Jeremiq ka folur edhe për zgjedhjet në veri të Kosovës, duke thënë se “Serbët atje kanë mbetur në mëshirën e autoriteteve të Prishtinës...”.
“Historia e Asociacionit duhej të kishte përfunduar 10 vjet më parë, kur Vuçiq i shpërndau institucionet e shtetit serb në Kosovë sipas marrëveshjeve të Brukselit dhe mori premtimin se komuniteti do të formohej, por kjo nuk ndodhi as pas 10 viteve të plota.” – u shpreh ai.