Halimi e LDK-së: Trashëgimia kulturore po shkatërrohet si shkak i neglizhencës së pushtetit

Lajme

Halimi e LDK-së: Trashëgimia kulturore po shkatërrohet si shkak i neglizhencës së pushtetit

Më: 24 prill 2023 Në ora: 14:59
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka kritikuar pushtetin, lidhur me (mos)kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Ajo tha se shumë asete të trashëgimisë kulturore janë në fazë degradimi. 

‘’Trashëgimia kulturore e vendit tonë ose po e ndryshon karakterin e saj sipas dëshirës së disa agjencive të huaja që po investojnë në drejtim tjetër kulturor ose ka mbetur pa kujdes shtetëror e si rrjedhojë shumë asete të trashëgimisë kulturore janë në fazë degradimi’’- tha Halimi në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Ai tha se për shkak që pushteti nuk ka arritur t’ua vazhdojë kontratat rojeve që kujdesen për monumentet arkeologjike, këto lokalitete arkeologjike kanë mbetur pa roje që pesë muaj.

‘’Viti 2019 shënon fundin e investimeve kapitale në arkeologji e për pesë muaj lokalitetet arkeologjike kanë mbetur pa roje, sepse ky pushtet nuk ka arritur t`ua vazhdojë kontratat rojeve që kujdesen që këto monumente të mos rrezikohen’’- u shpreh Halimi.

Ajo thotë se shumë thesare të trashëgimisë autoktone sot janë lënë nën mëshirën e kohës, për shkak që sipas saj pushteti orientimin e vetëm strategjik i ka videot propaganduese.

‘’Raporti i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka shprehur shqetësim lidhur me gjendjen e monumenteve kulturore. Natyrisht, kur kemi një pushtet që orientimin e vetëm strategjik i ka videot propaganduese, shumë thesare të trashëgimisë autoktone sot janë lënë nën mëshirë të kohës’’- tha Halimi.

Ndër të tjera ajo përmend disa nga lokalitetet arkeologjike që janë duke u shkatërruar si shkak i neglizhencës së pushtetit.

‘’Ndërsa, si rezultat i neglizhencës së këtij pushteti janë duke u shkatërruar lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, Kalaja e Korishës, Kalaja e Harilaqit, Lokaliteti Arkeologjik i Dresnikut, Kështjella antike e Keqekollës, Kalaja e Vushtrrisë, Kalaja e Veletinit e Hidroelektrana-Muzeu i Elektronomisë në Prizren’’- shtoi Halimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat