Ekipi menaxhues që do të prezantojë draftin e statutit për Asociacionin udhëhiqet prej Danijela Vujiçiqit, një deputeteje serbe nga Mitrovica e Veriut. Dhe del se ajo merret aktivisht me Kosovën.
Së fundi, ajo i ka reaguar në Twitter shefit të stafit të presidentes Osmani, Blerim Velës, duke i thënë që “ta mbajë gjuhën në gojë sepse mund të ndëshkohet.”
Në një postim të bërë pardje (ditën e zgjedhjeve), Vujiçiqi kishte shpërndarë edhe një artikull të kriminelit Millan Radojçiq duke thënë që “populli serb fitoi në Kosovë dhe Metohi”.
Ndërkaq, djalit të Radojçiqit ajo i ka thënë publikisht: “Petre Radojçiq, babai juaj është njeri i ndershëm dhe serb i madh!”
Në profilin e saj, udhëheqja e ekipit menaxhues të Kosovës shihet duke shpërndarë vazhdimisht postime nga ana e presidentit Vuçiq dhe kryeministres Bërnabiq.
Po ashtu, ajo shihet derisa shpërndan postime që sulmojnë opozitën serbe. Ta zëmë, kjo është mënyra se si e sulmon Vuk Jeremiqin:
“Homosapiens është një qenie që mendon, nuk e di çfarë ka ndodhur me këtë. Neveri!"
Znj. Vujiçiq del se po ashtu e quan “tradhtare” politikanen serbe Rada Trajkoviq për qëndrimet e saj kritike ndaj Vuçiqit. Sulm me fjalë të papërshtatshme e banale ajo ka bërë edhe ndaj opozitarit tjetër serb nga Kosova, z. Aleksandër Jabllanoviq.
Së fundi, edhe kryekuvendari Glauk Konjufca e ka përmendur faktin se znj. Vujiçiq është anëtare e Asamblesë Parlamentare të Serbisë nga partia e Vuçiqit.