Artan Llabjani nga Oda Ekonomike Britanike në Kosovë, deklaroi se ceremonia e inaugurimit të mbretit të Anglisë do të bëhet me një veturë nga dukati dhe se interesimi është i madh për ta pëcjellë si ngjarje.
Ai për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova tha se tani me mbretin e ri në Mbretërinë e Bashkuar do të dihet më shumë rreth bindjeve të tij politike dhe ato çka ai si mbret e mendon, për dallim nga ish mbretëresha Elizabeth e cila ishte në post më shumë për arsye të ceremonisë.
“Mbretëresha Elizabeth ka qenë e lindur në kohën e luftës së dytë botërore ose më herët dhe ishte me stil shumë konservativ dhe tradicional. Ajo nuk ka qenë shumë e hapur në publik dhe s’ka dalë në intervistë. Për rolin e asaj protokolli ka kërkuar që të mos shprehë mendim politik kurrë sepse kushtetuta e Anglisë nuk e lejon atë gjë. Ajo ishte në mbretëri më shumë për arsye të ceremonisë”.
“Ndërsa Mbreti Charles kur ka qenë princ shumë herë i ka shprehur mendimet e tij për çështje politike, pra diferenca është që tash e kemi një mbret që është transparent dhe e dimë se çka mendon e dëshiron”, deklaroi Llabjani.
Ai shtoi se Elizabeth i kishte takuar ndoshta të gjithë liderët e botës, e në mesin e tyre edhe liderin e Jugosllavisë së atëhershme.
“Kur ne kemi qenë në Jugosllavi, ajo ka qenë shoqe me Titon në atë kohë, d.m.th kjo tregon se sa e vjetër ka qenë dhe se sa domethënie të madhe ka pasur, kurse tash mbreti i Anglisë po jeton në një kohë kur historia ka ndryshuar, tash Kosova është shtet, është ndarë nga Jugosllavia dhe presidentja e Kosovës tani vjen këtu dhe merr pjesë në ceremoni”, u shpreh Llabjani.