Ish-kryeredaktori i Danas-it Zoran Panoviq e ka shkruar një opinion mjaft interesant në Velike Price të titulluar “Serbia mes Orbanit dhe Mitsotakisit”. Çka thotë ai aty?
Ai nis duke komentuar hipokrizinë e qëndrimit të Serbisë në raport me votimin e shteteve të caktuara për në Këshillin e Evropës, duke përmendur se si Vuçiqi i ishte gëzuar më shumë “JO”-së së Hungarisë, shtet njohës i Kosovës, se sa abstenimit të Ukrainës, shtet mos-njohës i Kosovës.
Ndërkaq për Spanjën, ai shkruan këto fjalë:
“Spanja na gëzoi sërish si shtet “vëlla” me qëndrimin e saj parimor dhe me “jo-në” jehuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por menjëherë pas një grindjeje në një lojë basketbolli (Real Madrid – Partizan) i ktheu “vëllezërit” në “ciganë”".
Në një pjesë të shkrimit, ai flet edhe për zhvillimet në marrëdhëniet mes Serbisë dhe ShBA-ve.
“...me mysafirët e rangut të lartë, hapja e seksionit të autostradës na tregoi tjetërçka: që kryeqyteti i shkatërruar i aleancës mes Serbisë dhe ShBA-ve disi ende po rindërtohet, që duket se kjo lloj Amerike në këtë situatë aktuale globale mund edhe të mos e njohë Kosovën.”
Natyrisht, ai e denoncon një përshtypje të tillë të ndërtuar nga ana e pushtetit në Serbi.
Ai më pas flet edhe për atë që e quan “hiperaktivitet” të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.
“(Hiper)aktiviteti i Ambasadorit Christopher Hill, ndjeshmëria e tij e theksuar për Serbinë, dhe respekti që merr nga Vuçiqi, lënë përshtypjen se Hilli është Presidenti i Serbisë dhe Vuçiqi është kryeministri i tij,”
“Mendoj që Hilli është president i Serbisë, dhe Vuçiqi është kryeministri i tij,” – përsërit sërish ai.
Në këtë shkrim ai përmend edhe manipulimin medial në rastin e ushtarit shqiptar Aziz Kelmendi që në vitin 1987 kishte vrarë katër ushtarë dhe kishte plagosur pesë të tjerë në masakrën e Paraqinit derisa ata po flinin.
“Gjendja mendore e Kelmendit nuk u mor parasysh.” – shkruan ai, derisa tregon edhe për pasojat e mënyrës se si ishte raportuar rasti.
Po ashtu, z. Panoviq flet edhe për marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë dhe vizitën e fundit të kryeministres Ana Bërnabiq në këtë shtet, duke e përfunduar shkrimin me këto fjalë:
“Në vend të politikave të pakuptimta të të ashtuquajturit pajtim, ne duhet përfundimisht të pranojmë një politikë produktive të të qenit bullgarë për njëri-tjetrin,” – thotë ai.