Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në ditën e parë të qëndrimit në Kosovë, ka vizituar Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK).
Power takoi ndërmarrësit e rinj në ICK, ku u prit edhe nga drejtuesit e kësaj qendre inovative.
USAID-i ka mbështetur ICK-në që nga themelimi i saj. ICK ka inkubuar më shumë se 750 biznese fillestare, duke krijuar më shumë se 3000 vende të reja pune.
Përveç inkubatorit, Departamenti i Trajnimeve të ICK-së ka ofruar shërbime të veçanta trajnimi dhe ka ofruar kurse të orientuara nga tregu për më shumë se 5,500 individë. ICK ka organizuar më shumë se 500 ngjarje vendore dhe ndërkombëtare për sipërmarrjen dhe TIK me mbi 80,000 pjesëmarrës.
Power do të vazhdojë qëndrimin e saj në Kosovë edhe nesër, ku pritet të takojë krerët më të lartë shtetëror.