Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për trafikim me narkotikë ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, të premten, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare nga prokurorja speciale Merita Bina-Rugova dhe mbrojtësi i Kelmendit, avokatit Besnik Berisha, kishte përplasje verbale për shkak të figurës së të akuzuarit.
Prokurorja Bina-Rugova, gjatë fjalës së saj përfundimtare tha se avokati Berisha po mundohet ta paraqes figurën e të akuzuarit Kelmendi si të pastër dhe se për këtë paguhet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë, ndërhyri avokati Berisha, duke iu drejtuar prokurores në fjalë se i bie që edhe ajo “po paguhet që të gënjejë”.
“Ty të ka pagu shteti me ardhë qetu, a po i bie që për rrenat tua je pagu me ardhë qetu. Nuk lejohet kjo me spekulu sepse ne e kemi për detyrë, mbrojtjen e ka të detyrueshme… S’është e rëndësishme a paguhem, por nuk mundet kjo me thanë që avokati e mbron për shkak se paguhet. Sepse kjo i bie që rrenat e tyre janë të paguara, njësoj po i bjen”, tha Berisha.
“Pse po merzitesh, ti vazhdimisht pohon se secili klient i yti është i pafajshëm”, ia ktheu prokurorja.
Në këtë situatë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, kërkoi që avokati Berisha të ulet dhe po ashtu kërkoi nga prokurorja Bina-Rugova që të mos ngritë epitete të caktuara.
Seanca vijoi me fjalën përfundimtare të prokurores Bina Rugova, e cila paraprakisht e dorëzoi me shkrim të njëjtën dhe e elaboroi shkurtimisht, duke thënë se duhet të merren parasysh deklaratat e dëshmitarëve K1 dhe K2, për faktin se kanë përputhje mes vete.
Tutje, prokurorja Bina-Rugova tha se për faktin se i akuzuari Kelmendi ka qenë në kërkim ndërkombëtar për një kohë të gjatë dhe se i njëjti gjendet në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërkon që i njëjti të dënohet.
Prokurorja Bina-Rugova, po ashtu gjatë fjalës përfundimtare përmendi edhe një raport të Agjencisë hetuese CIPA në Bosnjë, e cila Agjenci, të akuzuarin Kelmendi e kishte paraqitur si udhëheqës të organizatës më të rëndë kriminale.
“Edhe CIPA, në takim me Interpolin e ka bërë një prezantim me titullin “Oganizata kriminale Naser Kelmendi”, ku të akuzuarin e ka vendosur në krye të njërës prej organizatës më të rëndë kriminale”, tha ajo.
Për këtë, ndërhyri avokati Berisha, duke i quajtur fjalët e prokurores si spekulime e gënjeshtra, duke thënë po ashtu se ky raport nuk është administruar si provë materiale dhe nëse do ta propozojë si provë, duhet ta bëjë të njëjtën.
Më pas, gjykatësja Çerkini kërkoi nga prokurorja që gjatë fjalës përfundimtare të fokusohet në provat e administruara gjatë procesit gjyqësor, por e njëjtat tha se po ashtu është teknikë e Prokurorisë se si ta shpjegojë rrjedhjen e ngjarjes në fjalën përfundimtare.
Në fund, prokurorja Bina-Rugova kërkoi që dëshmitë e dëshmitarëve Margareta Hoxhiq, Haris Meriq dhe Isuf Hasanaj, të mos merren parasysh, pasi që të njëjtit kanë një të kaluar kriminale dhe se janë të dënuar për veprimet e tyre.
Kurse, avokati Berisha, gjatë fjalës përfundimtare tha se dëshmitari K2, për të shpëtuar nga dënimi me burgim, gjeti si viktimë të akuzuarin Kelmendi, duke dëshmuar kundër tij.
Avokati Berisha tha se muaji maj shënon plot një dekadë që kur Prokuroria e filluar nga EULEX, po vazhdojnë betejën për padrejtësi ndaj të akuzuarit Kelmendi.
Sipas Berishës, fjalët e thëna gjatë fjalës përfundimtare të prokurores Bina-Rugova, ishin koleksion gënjeshtrash, trillime dhe se në asnjë moment qoftë me një provë të vetme nuk mundi ta bëjë kriminel të akuzuarin Kelmendi.
Sipas avokatit Berisha, e tërë ngjarja për këtë çështje penale filloi kur dëshmitari K2 i kishte dërguar letër prokurorit Bozho Mihajloviq, me arsyen se kërkon takim më të pasi që posedon informata për Kelmendin, por që vetë prokurori në fjalë përfundoi në burg për korrupsion.
Qëllimi i kësaj letre të dëshmitarit K2, sipas avokatit Berisha ishte që i njëjti mundohej me secilën formë që të hapë shqyrtimin e tij gjyqësor për vrasjet që ishte i dënuar më parë.
Tutje, lidhur me dëshmitari K2, avokati Berisha tha se edhe Gjykata Themelore edhe ajo e Apelit nuk i kanë besuar me vendimet e tyre, pasi që qartë e kanë nuhatur sipas tij figurën kontroverse dhe kriminale të dëshmitarit K2.
Gjatë fjalës përfundimtare, avokati Berisha tha se në pikë 8 të aktakuzës, pikë e cila si e vetme e rëndon Kelmendin për këtë pikë të aktakuzës, nuk e kanë as datën dhe orën që thuhet se i akuzuari Kelmendi ka kryer veprën penale me të cilën po akuzohet.
Në fund, avokati Berisha luti gjykatën që të sjellë drejtësi për këtë rast dhe se sipas tij, i akuzuari Kelmendi nuk duhet të dënohet vetëm pse ka emrin Naser Kelmendi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale për trafikim me narkotikë.
Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.
Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro.
Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.
Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim,
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.
Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.
Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.
Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.
Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.
Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.
Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.
Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.
Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri më 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.
Prokuroria pretendon se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.
Naser Kelmendi po akuzohet se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko Bozic, Hakija Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatitën substanca, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje. /BetimipërDrejtësi