Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka thënë sot se tolerimi i Evropës për zgjedhjet për kryetar të komunave në veri të Kosovës është një nga nxitësit për konflikte të reja.
Ai thotë se ka kohë që ka tërhequr vëmendjen se në veri të Kosovës ka një vakum dhe se besimi i qytetarëve është lëkundur në momentin që Lista Serbe dhe përfaqësuesit e serbëve janë larguar nga institucionet.
Ai shton se amerikanët vazhdimisht kanë paralajmëruar se do të bëjnë diçka për kthimin e përfaqësuesve serbë në institucione, veçanërisht në institucionet e sigurisë dhe se do të bëjnë diçka për t'i hequr ato rreziqe.
Janjiq thekson se politika e reciprocitetit e zbatuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe politika e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë dy politika krejtësisht të ndryshme, edhe pse të gjitha silleshin sikur të ishin të njëjta, theksoi ai, raporton Kosovo-online, transmeton “Bota sot”.
“Jo vetëm që ka pasur tolerancë, madje ka pasur edhe disa lëvizje të Lajçakut, i cili ka inkurajuar Kurtin. Fakti që Lajçak tani thotë se dihet prioriteti dhe radha e detyrimeve. Dihet, por nuk respektohet. As ai nuk e respektoi, sepse kishte një marrëveshje që fillimisht të vendosej siguria, siç tha Escobar dhe Hill këtu, dhe pastaj të flitej për normalizim. Ata filluan të shtyjnë bisedimet për normalizim, duke i toleruar zgjedhjet", thotë ai.
Ai shpjegon se kur Kurti thotë se është i gatshëm të zbatojë plotësisht atë që është marrë vesh në Bruksel dhe Ohër, do të thotë se dëshiron të jetë ai që do të shkruajë propozimin dhe draftin, madje edhe të ndryshojë ekipin menaxhues që nuk e ka emëruar.
Duke folur për vendimin e hapjes së urës në Ibër, Janjiq thotë se koha për hapjen e urës në Ibër ka kohë që ka kaluar, por nëse e shikon nga pikëpamja e sigurisë fizike, ajo në fakt është e hapur, sepse çdo huligan i mirëorganizuar apo grup tjetër mund të kalojë atje dhe e bëjnë.
“Në mendjen e tyre ai është simbol i sigurisë për serbët, sepse ekziston ajo vijë ndarëse që ka shpëtuar jetë në një periudhë të vitit 2000. Ishte linja e pranimit të serbëve që po iknin nga jugu. Kjo nuk mund të bëhet në këto rrethana tensioni. Nëse dikush do të tentonte të hiqte, atëherë do të merrte barrikada”, përfundoi ai.