Drecun: Situata e sigurisë në Kosovë në kufirin maksimal, jemi afër konfliktit

Lajme

Drecun: Situata e sigurisë në Kosovë në kufirin maksimal, jemi afër konfliktit

Më: 20 maj 2023 Në ora: 10:20
Milovan Drecun

Kryetari i Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë për RTS-në, me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, se situata e sigurisë në Kosovë ka arritur kufirin maksimal, dhe se ndodhemi afër konfliktit.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova po e minon dialogun me mbështetjen e vendeve të Kuintit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëkohësisht po përpiqet të vendosë kontroll të plotë dhe absolut mbi veriun e Kosovës.

Drecun tha se procesi i minimit të dialogut nga Kosova me mbështetjen e vendeve të Kuintit, refuzimi i plotë i draft Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues dhe futja e “vetëqeverisjes për serbët” e Kurtit është lojë, thelbi i së cilës në fakt është “të njohësh shtetin e Kosovës nga Serbia”.

Në të njëjtën kohë, shton ai, Kurti po përpiqet të vendosë kontroll të plotë dhe absolut mbi veriun e Kosovës në dy drejtime – njëri është ai administrativ, duke pushtuar katër komuna në veri pas, siç tha ai, “zgjedhjet e mbajtura”.

Ai paralajmëron se është e rrezikshme që në Kosovë të lënë të kuptohet se do ta përfundojnë procedurën e hapjes së urës në Ibër dhe se po fillojnë të heqin targat nga veturat e njerëzve që nuk janë riregjistruar dhe të mbledhin gjoba.

“Është veçanërisht e rrezikshme që ata po përgatisin pjesën e dytë të zbatimit të planit të tyre, me mbështetjen e Kuintës, që është pushtimi i vërtetë policor dhe ushtarak i veriut të Kosovës. Ata tashmë kanë stacionuar pjesëtarë të njësive speciale parapolicore në në veri të Kosovës kanë miratuar të ashtuquajturin dekret të qeverisë për shpronësimin e tokës serbe në komunat ku synojnë të ndërtojnë baza të reja”, thotë Drecun.

Drecun vlerëson se situata e sigurisë ka arritur kufirin maksimal, përtej të cilit ndodh konflikti.

“Populli serb duhet të reagojë ndaj kërcënimeve ndaj të drejtave themelore të njeriut, por edhe ndaj mbijetesës në veri të Kosovës”, ka përfunduar Drecun.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat