Rritja e pagës së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj e ka ndihmuar të parakalojë të gjithë homologët e tij në Ballkanin Perëndimor. Kreu i shtetit shqiptar, të cilit iu shtua paga nga 2320 euro në 3860 euro, rezulton presidenti më i mirëpaguar në krahasim me 7 udhëheqësit e tjerë të rajonit. Edhe pse me më pak kompetenca se disa prej homologëve që zgjidhen me votë qytetarë, jo nga Kuvendi, Begaj sërish presidenti më i mirëpaguar në Ballkanin Perëndimor.
Ja sa paguhen homologët e tij në rend zbritës Zoran Milanoviç (Kroasi) 3500 euro, Natasa Pirc Mussar (Slloveni) 3322 euro, Zeljka Cvijanoviç, Zeljko Komsiç Denis Beçiroviç (Bosnje-Hercegovinë) 2920 euro, Jakov Mijatoviç (Mali i Zi) 2420 euro, Vjosa Osmani (Kosovë) 2180 euro, Aleksandër Vuçiç (Serbi) 1700 euro dhe Stevo Pendarovski (Maqedoni e Veriut) 1500 euro.
Përveç skandalit të rritjes galoponte të pagave për krerët dhe zyrtarët e shtetit me mbi 100 mijë lekë, dhe me 7% maksimumi për mjekët, mësuesit, policët dhe ushtarakët, anomalia me Begajn qëndron në faktin se Shqipëria renditet si vendi më i varfër i rajonit, me PBB më të ulët dhe korrupsionin më të lartë jo vetëm në rajon, por dhe në Europë.
Aq më tepër, që presidenti aktual përveç mesazheve apatike përshëndetëse dhe firmosjes “rrufe” të vendimeve të Kuvendit dhe kthimit të pr/ligjit të dekoratave, nuk ka marrë ndonjë vendim me impakt të madh për qytetarët dhe njerëzit që të mund t’i shpërblehet “stërmundimi” i madh.