Duke folur për ngjarjet e së premtes ku kryetarët e rinj shqiptarë u vendosën në objektet zyrtare komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se Beogradi pret nga QUINT’i dhe komuniteti ndërkombëtare “presion dhe dënim” të suksesshëm ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e akuzoi, siç rëndom bën Beogradi, për veprime “spastrimi etnik” të pjesës veriore të Kosovës.
“Për serbët e rëndësishme është që paqësisht të shprehin kundërshtitët e tyre ndaj asaj që po u ndodh, në veçanti në veri, pa ndonjë përshkallëzim të mëtejmë”, tha Vuçeviq, derisa vazhdoi t’u bie toneve të kahershme propaganduese se “nuk do të lejojmë një 17 mars të 2004’ës ose Stuhi”.
Pyetur rreth kërkesës së Listës Serbe që Beogradi të tërhiqet nga Dialogu i fascilituar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ministri serb thotë se do të shqyrtohet pozicioni i ardhshëm serb në Dialog, por se nuk do të marrin vendime që çojnë “në autizëm politik”.
“Sa i përket shtetit të Serbisë, kjo do të diskutohet dhe shqyrtohet se cili do të jetë pozicioni i mëtejmë i yni në procesin e dialogut, por në çka nuk duhet të hyjmë është vetë-izolimi ose një periudhë autizmi politik, për shkak të së cilës mund të bartet neve se ne jemi ata që nuk duam dialog”, ka thënë ai.
Gjithashtu, duke folur edhe për ngritjen “e nivelit më të lartë gatishmërisë ushtarake” që u proklamua të premten, Vuçeviq, shprehet se “në shpresën që nuk do të na duhet të reagojmë, sepse nuk jemi në luftë”.