Vuçiq, thirrje ndërkombëtarëve: Merrni masa ndaj përgjegjësve për situatën në veri të Kosovës

Lajme

Vuçiq, thirrje ndërkombëtarëve: Merrni masa ndaj përgjegjësve për situatën në veri të Kosovës

Më: 31 maj 2023 Në ora: 21:21
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje sonte komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të vendosura kundër, siç tha ai, atyre që janë kokëfortë dhe përgjegjës për përshkallëzimin e situatës në Kosovë, “duke rrezikuar kështu paqen dhe sigurinë e gjithë rajonit”.

Vuçiq, në një deklaratë për mediumin amerikan CNN, u bëri thirrje serbëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të ruajnë maturinë.

Reagimi i tij vjen pasi Qeveria e Kosovës mori qortime nga ShBA-të, rreth zhvillimeve në veri, ku serbët po kundërshtojnë kryetarët veriorë.

“Unë e di që këta njerëz janë të vendosur të luftojnë në mënyrë paqësore për të drejtat e tyre elementare. Ata duan të mbijetojnë, të ruajnë emrin dhe mbiemrin, fenë e tyre dhe të kenë të drejtën të jetojnë atje ku kanë jetuar gjithmonë. Këshilla ime dhe kërkesa është që gjithmonë ta bëjmë atë në mënyrë paqësore dhe të qëndrojmë të kthjellët. Dhe i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime vendimtare kundër atyre që janë kokëfortë dhe që e përshkallëzojnë situatën në terren, duke rrezikuar kështu paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, theksoi Vuçiq i pyetur se cili ishte mesazhi i tij për njerëzit që po protestojnë në veri të Kosovës.

Ai theksoi se janë dy gjëra kyçe, “se Serbia i ka zbatuar të gjitha obligimet e saj nga marrëveshja e parë, nga prilli 2013, dhe Prishtina nuk e ka zbatuar të vetmen – formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”.

“Nuk e kanë bërë, as nuk duan ta bëjnë”, tha ai. Ai po ashtu ka deklaruar se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë mbajtur me pjesëmarrje prej 3.4 për qind. Për këtë arsye nuk janë legjitime dhe si të tilla janë zgjedhje të rreme, tha Vuçiq.

“A do të quheshin legjitime diku tjetër zgjedhjet me një pjesëmarrje kaq të ulët?”, pyeti ai.

Ai gjithashtu theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i quan fashistë, ultranacionalistë apo kriminelë 97 për qind të qytetarëve në veri.

“Nuk mund të bëni pa 97 për qind të njerëzve dhe vetëm me tre për qind. Serbët duan siguri dhe siguri për veten dhe familjet e tyre”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat