Nga sot në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, hyjnë në fuqi tri marrëveshjet e nënshkruara më 3 nëntor, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kjo është bërë e ditur nga Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani përmes një postimi të bërë në Facebook.
“Marrëveshja për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor me letërnjoftime, Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve”, ka shkruar Osmani.
“Marrëveshjet paraqesin hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për t’i ofruar qytetarëve lirinë e lëvizjes dhe integrimit, si kusht për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, si rruga më e sigurt dhe më e shpejtë drejt qëllimit tonë të përbashkët – anëtarësimit në Bashkimin Europian”, ka thënë tutje Ministri Osmani.