Ish-analisti ushtarak i Millosheviqit, aktualisht në shërbim të Vuçiqit, Millovan Drecun, ka thënë se “nuk ka dyshim se populli serb është i vendosur për t’i dhënë fund terrorit që po bëhet nga Prishtina dhe për ta kthyer situatën në një gjendje paraprake”, raporton televizioni publik serb RTS.
“KFOR-i e ka shtuar praninë e tij, por ne shohim se pjesëtarët e njësisë speciale “parapolicore” janë në ndërtesat komunale dhe se Prishtina nuk tregon vullnet për t’i kthyer në bazat e tyre në jug të Ibrit”, ankohet Drecun.
Shohim edhe disa veprime shtesë të shqiptarëve, siç është tubimi në Mitrovicën e Jugut, thotë ai.
“Serbët do të vazhdojnë të protestojnë derisa të zgjidhet situata, por kemi edhe aktivitetin e rritur diplomatik të vendeve kryesore perëndimore për të qetësuar krizën dhe për të vazhduar dialogun”, ka pretenduar Drecun.
Sipas fjalëve të tij, “nëse doni të pushtoni dhunshëm dhe në mënyrë të organizuar me mesazhe luftënxitëse, atëherë dëshironi të provokoni konflikt”.
“Nuk ka pasur numër të madh të tyre për të bërë diçka të tillë. Ishte një përpjekje për të organizuar të tubimit që ndoshta ka shkuar vetëm përmes rrjeteve sociale, por nuk ishte i organizuar në atë mënyrë që mund të çonte në një konflikt të rëndë. E shihni sa të drejtë kanë serbët kur e kundërshtojnë hapjen e urës në Ibër për trafik, kjo po sjell destabilitet dhe frikë shtesë për popullin serb dhe diçka që duhet të parandalohet”, pretendon Drecun.
Sa i përket Samitit në Moldavi, Drecun thotë se ai është një nga forumet më të rëndësishme politike dhe se situata në veri të Kosovës ishte pothuajse tema dominuese.
“Presidenti ynë pati takime shumë të rëndësishme me Macron-in, Scholz-in dhe Borrell-in dhe këta njerëz realisht ndikojnë në atë që po ndodh në Kosovë. Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve që fillimisht u quajt propozim franko-gjerman dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme të bisedohet me ta dhe të arrijmë marrëveshje, si këtë herë. Ne gjithashtu kemi mendimin unanim të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit se Prishtina është fajtore për këtë krizë. Kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Është e rëndësishme për ne që presidenti Vuçiq i dërgoi një mesazh popullit serb që të shmangë çdo konflikt me KFOR-in”, ka thënë Drecun.
Sipas tij, KFOR-i tani po përpiqet të pozicionohet në të gjitha vendet ku është e nevojshme për të shmangur konfliktet dhe “që të mos provokohet më popullin serb”.
“Ne e kemi parë iniciativën e Macron-it dhe Scholz-it për të de-përshkallëzuar këtë krizë në mënyrë politike, që është mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës. Po ashtu shohim se amerikanët po insistojnë që kryetarët të largohen nga ndërtesat dhe se Kurti e kuptoi këtë, dhe se duhet ta formojë Asociacionin”, ka pretenduar Drecun.
Sa i përket Serbisë, sipas shërbëtorit të Millosheviqit, “nuk është opsion për të ri negociuar Asociacionin, por për ta zbatuar atë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.
“Është e rëndësishme që të kuptohet se pa Asociacionin situata gjithmonë mund të përshkallëzohet”.
“Kjo ka të bëjë me sjelljen e Kurtit. Ka kohë që spekulohet se amerikanët nuk kanë ndikim të mjaftueshëm te Kurti dhe po përpiqen të gjejnë disa mundësi alternative. Ai nuk mund të sillej në një mënyrë të tillë pa mbështetjen e disa vendeve të KUINT-it. E shohim që Kurti ka marrë paralajmërim, jo sanksione në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe më duket se më në fund e ka kuptuar atë paralajmërim”, thotë Drecun.