Sateliti i Putinit në Ballkan, Dodik: Kosova është pronë e serbëve

Lajme

Sateliti i Putinit në Ballkan, Dodik: Kosova është pronë e serbëve

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 16:38
Millorad Dodik

Presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, i njohur për afërsinë e tij me autokratin rus Vlladimir Putin, tha sot në Trebinjë se Kosova është “pjesë integrale e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë” dhe pronë e të gjithë serbëve kudo që jetojnë.

Ai pretendoi se Rezoluta për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, e cila u miratua javën e kaluar në Asamblenë e Republikës Serbe, është “vetëm një pjesë e mbështetjes për mbrojtjen e të drejtave për mbijetesë të popullit serb”.

“Populli ynë në Kosovë duhet të mbijetojë dhe të qëndrojë atje dhe të luftojë për të drejtat dhe lirinë e tyre”, pretendoi Dodik.

Dodiku, i vendosur në Listën e Zezë të ShBA-ve, pretendon se vendimi për propozimin e Rezolutës për mbrojtjen e serbëve në Kosovë është i domosdoshëm dhe se “është vetëm një pjesë e vogël e asaj që duhet bërë në shenjë mbështetjeje për Serbinë dhe popullin serb në Kosovë”.

“Të gjithë e perceptojmë si tonën dhe prandaj kemi të drejtë të ndërlidhemi me këtë çështje, për Kosovën në tërësi”, tha Dodik në Trebinjë, ku u vendos gurthemeli për ndërtimin e një spitali të ri.

Kuvendi Popullor i Republikës Srpska miratoi para disa ditësh Rezolutën për mbrojtjen e serbëve në Kosovë dhe “për integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat