Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi priti në takim një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, të kryesuar nga sekretari i shtetit, Marko Stucin dhe ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se palët diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit mes shteteve.
“Kosova ndan marrëdhënie të shkëlqyera të bashkëpunimit me Slloveninë, i cili është shtet mik e aleat i yni. Sllovenia përkrah Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, ku dhe u theksua gatishmëria për ndarjen e përvojës dhe eksperiencës së saj në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se në këtë takim u bisedua dhe mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se Kosova është shtet sovran, demokratik dhe në të drejtën e saj legjitime, për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.