Kryeministri Albin Kurti ka treguar se dje ka pasur komunikime të vazhdueshme me përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së.
Kurti tha në një konferencë për media se të hënën në mesditë ka biseduar në telefon me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, të cilit ia ka paraqitur një plan me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Përgjigje tha se s’ka marrë ende, pasi tha se Borrell ishte “në një aeroport”, raporton Gazeta Express.
“Unë nuk kam marrë përgjigje ende nga z. Borrell sepse kur biseduam ai ishte në një aeroport përpara një udhëtimi tjetër dhe besoj që së shpejti do të na përgjigjet lidhur me kërkesën time që të kemi takim të sërishëm në Bruksel”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë tha se dje ka folur vazhdimisht edhe me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe ambsadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.