Serbi i arrestuar dje në veri të Kosovës, mes tjerash akuzohet edhe për terrorizëm

Lajme

Serbi i arrestuar dje në veri të Kosovës, mes tjerash akuzohet edhe për terrorizëm

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 10:19
Foto ilustrim

Avokati i serbit të arrestuar në Mitrovicë të Veriut, Millun Millenkoviq, Nebojsha Vllajiq, konfirmoi se klientit të tij i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe gjatë kësaj periudhe ai duhet të dalë para gjykatës.

Vllajiq tha se Millenkoviqi po akuzohet për sulmin e ndodhur në dhjetorin e kaluar ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe për sulmin e 29 majit të këtij viti në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Sipas avokatit, ndaj Millenkoviqit rëndojnë tri vepra penale: terrorizëm, ndryshimi i rendit kushtetues përmes dhunës dhe rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare.

Millenkoviqi u arrestua më 13 qershor në një floktari në Mitrovicë të Veriut nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Arrestimi i tij u dënua nga zyrtarët në Beograd dhe nxiti qytetarët serbë që të mblidheshin në Mitrovicë të Veriut, por pas disa orësh, pa asnjë incident të raportuar, qytetarët e mbledhur u shpërndan.

Rasti tjetër për të cilin dyshohet Millenkoviqi ka ndodhur më 6 dhjetor 2022. Atë botë, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra prej tyre shpërtheu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat