Policia e Kosovës dje ka arrestuar Nemanja Vlaskoviq, i dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve më 29 maj, gjatë tensioneve në veri të vendit.
Avokati i tij, Predrag Milkoviq, po pretendon se klienti i tij nuk sulmoi gazetarët, dhe ka prova për këtë.
Siç raporton “Kosovo-Online”, ai tutje ka pretenduar se Vlaskoviq nuk është personi i publikuar në pamjet nga përfaqësuesit e Prishtinës.
“Mund të them që fotoja që po qarkullon, nuk është Vlashkoviq, ai qëndron në rendin e shtatë të fotografisë në një format më të gjerë. Ai nuk është sulmuesi i gazetarëve dhe sipas provave tona, nuk mund të jetë. Unë do të dorëzoj prova për pafajësinë e klientit tim në gjykatë, duke përfshirë fotografitë.” – tha ai.
Vlen të theksohet se siç njoftoi policia, i dyshuar është shoqëruar dje në stacionin policor, ku edhe është intervistuar.
“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.” – bëhjt e ditur.
Vlen të theksohet, se edhe sot nëntë gazetarë janë sulmuar në veri të vendit, ku disa prej tyre kanë kërkuar edhe tretman mjekësor.
Ndërkohë, ministri Sveçla ka bërë një reagim duke thënë se i arrestuari është Nemanja Vllaskoviq, derisa e ka publikuar edhe fotografinë e tij.
“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë.” – ka thënë ai.