Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga polica serbe më 14 qershor nuk do të shpëtojnë pa aktakuzë.
Ai pretendon se janë arrestuar në territorin e Serbisë dhe për këtë thotë se ka prova.
Po ashtu Vuçiç ka paralajmëruar një takim me serbët e Kosovës.
“Ne nuk do të lejojmë ‘pogromin e popullatës sonë’, por le të shmangim ndërhyrjen tonë sa të mundemi, sepse lufta nuk është zgjidhje”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb është shprehur se përshkallëzimi i situatës në Kosovë nuk e ka arritur pikun dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron luftë.
Ai ka thënë se Kurti nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse duhet të formohet “në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.
Sipas Vuçiçit, Forca e Sigurisë së Kosovës është “më shumë e pajisur” me armë serioze turke.
Ai ka thënë se Kosova është duke ndërtuar një ushtri, e cila nuk i lejohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.