Koordinatori i Grupit Punues për Kapitullin 35 i Konventës Kombëtare të Bashkimit Evropian, Dragisa Mijaçiq, thotë se sanksionet ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian për shkak të refuzimit të saj për të de-përshkallëzuar situatën në Veri, nuk do të japin rezultatet e pritura në një periudhë të shkurtër kohore.
“Nëse kjo nuk ndodh, do të pasojnë një sërë masash që sigurisht do të prekin qeverinë e Kosovës edhe qytetarët e saj. Kam përshtypjen se masat nuk do të japin rezultate konkrete në një periudhë të shkurtër kohore. Më 3 qershor është miratuar plani trepikësh për deeskalim. Kurti nuk iu është përgjigjur pozitivisht atyre kërkesave për një muaj dhe tani Këshilli Evropian ka rikonfirmuar atë që kërkohet nga të dyja palët”, tha Mijaçiç për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Ai shpjegoi se komuniteti ndërkombëtar nuk ka instrumente për të zgjidhur situata të tilla në një periudhë të shkurtër kohore.
“Kohëzgjatja e tyre mund të jetë vërtet shumë e gjatë. Dhe sinqerisht nuk besoj se do të kenë efekt në një periudhë të shkurtër kohore”, shtoi ai.
Mijaçiç theksoi se të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë SHBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe, qëndrojnë prapa planit trepikësh të BE-së për deeskalim.
“Të gjithë i thanë Kurtit se çka presin prej tij. Të gjithë i thanë të njëjtën gjë, zbatoni planin trepikësh, ose do të ballafaqoheni me masa”.
“Është thelbësore të vazhdohet dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja i udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të saj për zbatim. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Këshilli Evropian të premten ka miratuar konkluzionet e takimit të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku në paragrafin e kushtuar Kosovës dhe Serbisë theksohet se ky organ i Unioni dënon incidentet e fundit të dhunës në Veri të Kosovës duke i bërë thirrje palëve për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës bazuar në planin tre-pikësh të prezantuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, shkruan AP.
Kosova dhe Serbia, sipas konkluzionit të Këshillit Evropian, duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në Veri të Kosovës, në të kundërtën do të ketë pasoja negative.
“Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në Veri të Kosovës. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative”.
Gjithë në këtë mes sipas Këshillit Evropian është tepër kruciale kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve në Bruksel duke zbatuar në mënyrë të shpejtë Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.