Akuzat e deputetes britanike për kontrabandë me armë, reagon ministri serb

Lajme

Akuzat e deputetes britanike për kontrabandë me armë, reagon ministri serb

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 11:15
Millosh Vuçeviq

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq ka komentuar deklaratat e deputetes britanike Alicia Kearns se Kisha Ortodokse Serbe ka kontrabanduar armë në Kosovë.

Ai për TV Pink ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe ka kërkuar që këto pretendime të verifikohen dhe se është i bindur se kjo është plotësisht e pavërtetë.

“Kisha kërkoi që të kontrollohen ato akuza dhe të sigurohet se nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën. Kisha Ortodokse Serbe është shumë shpesh cak i sulmeve nga të gjithë ata që nuk ia duan të mirën Serbisë. Shpesh do të dëgjoni lloj-lloj gjërash, nga akuzat se Kisha Ortodokse Serbe ndërhyn në çdo gjë, deri tek akuzat e errëta se është një celulë e veçantë e një organizate terroriste”, tha ai.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është ndër zërat më të fuqishëm britanikë në mbrojtje të ligjshmërisë së Kosovës në pjesën veriore, sot ka publikuar disa të dhëna shumë shqetësuese në lidhje me kriminalitetin serb në këtë pjesë të vendit.

Në adresimin e saj të martën në Parlamentin Britanik, Kearns ka thënë se Ushtria Britanike e angazhuar në KFOR ka siguruar të dhëna se Kisha Ortodokse serbe po furnizohet me armatim nga Serbia, dhe këtë po e bën përmes auto-ambulancave.

“Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i quajmë ashtu siç janë milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët (Regjimenti Mbretëror, shën.red.) që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona marrin vesh këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja – çfarë befasie – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”, tha dje Kearns.

Lidhur me këtë është deklaruar gjatë ditës edhe misioni i NATO-s në Kosovë.

KFOR-i përmes një deklarate thekson se nuk dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë nga Kisha Ortodokse Serbe përmes auto-ambulancave.

Një reagim për këtë çështje erdhi edhe nga Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) e cila ka theksuar se e pranuar me shqetësim të thellë deklaratën e ligjvënëses britanike.

Sipas Dioqezës Rashkë-Prizren, deklarata e deputetes britanike “paraqet një akuzë tejet të rrezikshme që kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe dhe tashmë po shfrytëzohet nga disa media kosovare me qëllim të nxitjes së urrejtjes fetare dhe etnike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat