Kosova në fokus, Vuçiç “takim ankesash” me Stoltenberg, ja çfarë rezultatesh priten nga diskutimet në Bruksel

Lajme

Kosova në fokus, Vuçiç “takim ankesash” me Stoltenberg, ja çfarë rezultatesh priten nga diskutimet në Bruksel

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 08:10
Aleksandër Vuçiç dhe Jens Stoltenberg

Kosova dhe Serbia rikthehen sot në tryezë, për të rinisur përpjekjet për çtensionimin e situatës në veri si dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, janë ftuar në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve dhe veprimet për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ky është një takim që vjen pas situatës së krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, që ka ngjallur shumë reagime te ndërkombëtarët. Po ashtu, njëkohësisht, NATO ka njoftuar se sot pritet të zhvillohet edhe një takim mes Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Temë e bisedimeve besohet se do të jetë situata në Kosovë. Vuçiç, duke bërë viktimën si zakonisht, ka paralajmëruar se Kurti është ende i gatshëm për konflikte sepse kryeministri i Kosovës deklaroi se “Policia e Kosovës është vazhdimësi e UÇK”.

“Kam frikë se ai po përgatit gjëra shumë më të rrezikshme dhe po përpiqet t'u thotë njerëzve të përgatiten për konflikte që vetëm ai dëshiron t'i shohë dhe vetëm ai dëshiron t'i iniciojë. Ne duam paqe, dhe kjo që ai thotë tregon se ai dëshiron konflikt dhe asgjë tjetër”, ka thënë Vuçiç, duke shtuar se pikërisht këtë do ta diskutojë me Stoltenberg.

Ai ka thënë se reduktimi i forcave policore në komunat në veri për vetëm 25 për qind, në vend të një tërheqjeje të plotë, ishte bërë për t'i kërkuar Serbisë që në këmbim të "përsëri diçka serioze". “Në veri të Kosovës aktualisht janë rreth 600 dhe do t'i zvogëlojnë në 450. Nuk ka ndryshim. Është e qartë se ky njeri s’dëshiron të bëjë asgjë”, ka theksuar Vuçiç.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat