Pëllumb Bajqinovci i LDK-së, kandidati i vetëm për kryekuvendar të Prishtinës

Lajme

Pëllumb Bajqinovci i LDK-së, kandidati i vetëm për kryekuvendar të Prishtinës

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 15:33
Pëllumb Bajqinovci

Pëllumb Bajqinovci i Lidhjes Demokratike të Kosovës është kandidati i vetëm i propozuar për kryekuvendar të Prishtinës, në mbledhjen e jashtëzakonshme që po mbahet të premten.

Pushteti në Prishtinë, LDK-PDK, po synon ta caktojë kryesuesin e ri, pas shkarkimit të Fehmi Kupinës javë më parë, vendim ky që është hedhur poshtë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Sipas opozitës në kryeqytet, Kupina vazhdon të jetë kryesues dhe se pushteti po vepron kundërligjshëm.

Në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal është votuar për shkarkim të Kupinës, por ai paraprakisht e kishte mbyllur seancën me arsyen se nuk kishte kushte për punë.

Një ditë më parë, Kupina u kishte dërguar shkresë asamblistëve duke ua kujtuar Rregulloren, duke nënvizuar nenin që shpjegon se nuk mund të zgjidhet një kryetar i ri përderisa ekziston aktuali.

Kupina ishte zgjedhur në fillim të mandatit me votat e asamblistëve të subjekteve politike që e bëjnë pushtetin lokal në Prishtinë. Muajin e shkuar ai dha dorëheqjen nga LDK-ja dhe bashkoi votat me opozitën për t’i shkarkuar aksionarët e ndërmarrjeve publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat