Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit të Kosovës është parë e veshur me një fanellë ku kreu i Qeverisë, Albin Kurti paraqitet me hundë të gjatë si “Pinokio”.
Ditën kur ndodhi përleshja në Kuvend, Musliu kishte vendosur një foto të njëjtë në foltore e më pas edhe një baner duke e quajtur Kurtin mashtrues.
Ajo bashkë edhe me deputeten tjetër të PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi e kanë hequr shiritin e vendosur që i ka penguar mediet të kenë qasje.
Seanca e fundit plenare e thirrur për të premten (sot) nuk është mbajtur në mungesë të deputetëve.
Në mungesë të deputetëve, pas një orë pritjeje, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e mbylli punën e legjislativit për këtë sesion.
Kjo duke iu dëshiruar deputetëve pushime të këndshme.
Bogujevci u tha deputetëve: Shihemi në shtator.