Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Kryetaren e Shoqatës së Kryqit të Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, të shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Agron Humolli
Sipas një komunikate për medie të Qeverisë, përfaqësuesit e shoqatës së Kryqit të Kuq të Kosovës ndanë me kryeministrin Kurti shqetësimet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen përgjatë punës së tyre.
Ata kërkuan edhe mbështetje nga kryeministri në atë drejtim.
“Në kuadër të kësaj teme, kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim të mëtejmë, si dhe për adresimin e shqetësimeve të tyre.
Gjithashtu, ai tha se barazia e mirëqenia janë synime qendrore të qeverisjes, duke vënë theksin te reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes si dhe masat në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike dhe pakove tjera në mbështetje të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.
Kryqi i Kuq i Kosovës është shoqata më e vjetër humanitare në Republikën e Kosovës, e themeluar në vitin 1945. Ajo numëron plot 26 degë në Kosovë.