Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me rastin e Klan Kosovës, duke pyetur se për cilën Kushtetutë e kanë fjalën “patriotët”.
Ajo ka shkruar se a janë të vetëdijshëm se çka janë duke bërë.
“Për cilën Kushtetutë, atë që e ka shkelë Arbërie Nagavci, të njëjtën që e ka shkelë Albulena Haxhiu duke hartu ligje antikushtetuese. Po koordinimi i shefes së 56 deputetëve me një terrorist si Radojeçiçi, a është në linjë me këtë kushtetutë, A janë të njëjtit ''patriotë'' që e mbrojnë Martin Berishajn që ka marrë miliona euro nga Gen Beograd”, ka shkruar ajo në Facebook.
Përndryshe, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”
MINT ka potencuar se vendimi i komisionit e përmbyll këtë rast brenda ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka konstatuar se ARBK-ja, në shkallën e parë ka vendosur në përputhje me ligjin kur e ka pezulluar certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.
“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë. Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t'i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ministria ka shtuar se në bazë të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj. “Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës.”, ka shtuar ministria.