Bartja e videomaterialit te palët bëhet temë në seancën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Lajme

Bartja e videomaterialit te palët bëhet temë në seancën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 20:08
Foto nga vendi i ngjarjes

Videomateriali që e ka deponuar Prokuroria në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte kryetemë në seancën e së mërkurës për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Prokuroria e ka seleksionuar në 63 gigabajtë materialin e marrë nga kamerat e sigurisë, por mbrojtja e kërkoi të gjithin. Si zgjidhje, gjykata u ofroi mbrojtësve të të akuzuarve t’i sjellin vetë pajisjet nëse e duan të gjithë materialin

Mbi 400 gigabajtë materiale me pamje të kamerave të sigurisë i ka deponuar Prokuroria në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin ku gjashtë persona akuzohen lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, prokurori Burim Çerkini tha se ka përmbledhur pjesët kryesore, të reduktuara në 63 giga, për, siç tha, ekonomizim të procedurës.

“Ato janë sekuencat që po besoj janë të rëndësishme të shihen, për t’u hequr pjesa e parëndësishme dhe tani më nuk është në formatin e CD për shkak se nuk ka dhe është në formatin e USB-së së jashtme”, ka thënë Çerkini.

Avokatët e të pandehurve thanë se prokuroria s’mund të selektojë prova, e po ashtu se për herë të parë po dëgjojnë për provën me mbi 400 gigabajtë të prokurorisë.

“Kemi kërkesë që të shikohen kamerat vetëm sa i përket ndërtesës ku është zyra e Ivanoviqit. Propozoj që të na dorëzohen materialet komplet”, ka thënë Dejan Vasiq, avokat i Dragisha Markoviqit.

Kjo u kundërshtua nga prokurori Çerkini. Sipas tij, materialet në tërësi u janë dorëzuar mbrojtësve të të akuzuarve.

Por mbrojtësit insistuan t’i marrin materialet.

“Ne si mbrojtës duhet t’i kemi të gjitha provat që i ka prokurori”, ka thënë Jovana Filipoviq avokatja e Silvana Arsoviqit.

E pasi këtë nuk ua mundësoi as prokuroria e as gjykata, shkaku i kostos së pajisjeve për bartje të materialeve, kryetari i trupit gjykues vendosi për një alternativë tjetër.

“Ne do t’ua japim një USB me 63 giga videoincizime, pasi nuk kemi mundësi, ju avokatët do ta ndani mes vete e të gjitha ato...Çdo avokat i cili është i interesuar që ta marrë vetë, do ta sjellë USB-në që t’ia japim videoincizimin. E në qoftë se ndonjërit prej avokatëve i duhet i gjithë incizimi do ta sjellë një hard disk dhe ne do t’ia ngarkojmë në mënyrë që t’i marrin 400 gigat”, ka thënë Valon Kurtaj, kryetar i trupit gjykues.

Mbrojtësit e të akuzuarve dhe ish-polici Nedelko Spasojeviq dhanë edhe propozimet e tyre se cilat sekuenca duhet të administrohen si prova shfajësuese.

“Vetëm videoincizimet e tregojnë se unë kam qenë në punë paradite. Por jo pasdite, për kohën kur akuzohem, se në 23 kam transportuar persona të panjohur me veturë zyrtare. Për mua me rëndësi është që të shihet nga kamerat se kur kam dalë nga stacioni dhe pas kësaj a kam hyrë në stacion dhe a kam dalë me veturë zyrtare”, ka thënë Nedelko Spasojeviq, ish-polic i akuzuar.

Ish-policët Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Rade Basara, pastaj ish-sekretarja e partisë së Ivanoviqit, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq, akuzohen për ndihmë në vrasjen e kryetarit të subjektit politik SDP nga Mitrovica dhe për dëmtimin e procesit hetimor. Në kërkim për këtë rast janë edhe nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, biznesmeni i përfolur për lidhje me krimin, Zvonko Veselinoviq dhe ish-komandanti i Policisë për veri, Zheljko Bojiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat