Një shtetas nga Kosova është plagosur me thikë këtë mbrëmje në zonën e Kunes në Shëngjin.
Gazetari Elidon Ndreka bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20, ndërsa i plagosuri është nisur drejt spitalit të Traumës në gjendje të rëndë.
Mësohet se personi i plagosur është Selim Bllaca, 59-vjeç, shqiptar i Kosovës, i cili është përfshirë në një konflikt me një tjetër shqiptar të Kosovës.
Policia ka arrestuar autorin, teksa i riu është dërguar për mjekim të specializuar drejt Tiranës, pasi gjendja e tij është kritike. Ai ka marrë një goditje në zemër pas sherrit.
Njoftimi i Policisë:
“Rreth orës 21:00, në Shëngjin, pas një konflikti të çastit, shtetasi kosovar Hazir Berisha 66 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Selim Bllaca 59 vjeç, banues po në Kosovë. I dëmtuari është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Falë veprimeve të shpejta hetimore operacionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 66-vjeçarit, si autor i dyshuar si dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së ftohtë ( thikës) e dyshuar e përdorur nga autori. Vijojnë veprimet hetimore nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj“.