Aktivitetet me moton ‘Njih Luginën’ shpalosin diskriminimet e shqiptarëve

Lajme

Aktivitetet me moton ‘Njih Luginën’ shpalosin diskriminimet e shqiptarëve

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 00:01
Foto ilustrim

Me ftesë të Këshillit Kombëtar të Luginës disa gazetarë nga Kosova janë duke qëndruar në Preshevë, për të marrë pjesë në një konferencë, e cila është pasqyrë mediale e gjendjes së shqiptarëve në këtë zonë me moton “Njih Luginën”.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në magazinën "Lajmet e Fundit", gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda tregoi se po qëndrojnë me kolegët gazetarë për të parë së afërmi problematikat me të cilat përballen shqiptarët, ndërkaq ka veçuar edhe disa nga diskutimet e konferencës së sotme.

“Ajo që dua të shkëpus nga konferenca është se përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se bashkësia ndërkombëtare nuk po përdor standarde të njëjta në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë krahasuar me të drejtat e serbëve në Kosovë”, ka thënë Sejda në lidhje direkte.

Në mesin e kërkesave të politikanëve të Luginës ka qenë ardhja e dy emisarëve Lajçak dhe Borrell në vizitë për të parë problematikat e shqiptarëve, por kjo ende s’ka ndodhur. E një sfidë tjetër mbetet arsimimi në gjuhën shqipe.

“Nxënësit e shkollave të mesme ende s’kanë libra në gjuhën shqipe. Janë 4 gjimanze në Luginë dhe nxënësit e të gjitha paraleleve janë të detyruar të mësojnë me planprograme të planifikuara, por jo me libra shqip”, ka njoftuar Sejda.

Tutje gazetarja e RTK-së ka përmendur edhe faktin se shqiptarët diskriminohen edhe për punësim, e një nga fushat konkrete është shëndetësia.

“Në konkurset e fundit në shëndetësi pavarësisht arritjeve akademike dhe realizimit të kërkesave nga konkurset, aplikantët shqiptarë nuk po arrijnë të punësohen”, ka thënë ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat