Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se autoritetet serbe s’do ta tolerojnë “dhunën dhe arbitraritetin” e Qeverisë së Kosovës pas vendimit për anulimin e licencës së kompanisë serbe “MTS d.o.o” – degë e operatorit shtetëror të telekomunikacionit “Telekom Serbia”.
“Kompania MTS d.o.o ka në dispozicion mekanizma ligjorë për të anuluar vendimin e pakuptimtë të ARBK-së, por për shkak të veprimeve të saj të njëanshme, Kosova mund të ketë pasoja të rënda në fushën e telekomunikacionit”, ka thënë Petkoviç të mërkurën, trasnmetojnë mediat serbe.
Anulimi i licencës së biznesit nga Agjencia e Regjistrimit te Bizneseve të Kosovës (ARBK) erdhi për për shkak se “një anëtar i menaxhmentit të kompanisë në fjalë ka pasaportë të lëshuar nga Serbia” dhe shkeljes së rendit kushtetues të Kosovës, por korrieri i propagandës serbe ka pretenduar se “dokumentacioni ka qenë ne rregull”.
Petkoviçi ndër të tjera ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas pretendimeve të tij, përveç që po përpiqet të “çaktivizojë lidhjet celulare e televizive të popullit serb në Kosovë me pjesën tjetër të Serbisë”, ai po “nënçmon” përpjekjet e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Në këtë mënyrë, në mënyrën më primitive, ai nënçmon përpjekjet e BE-së dhe ndërmjetësve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Vendosmëria e tij për të vazhduar me shkeljen e marrëveshjeve të Brukselit është një thirrje tjetër për alarm”, ka thënë Petkoviç.
Kompania “MTS d.o.o” është themeluar në vitin 2015 me Marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e BE-së ndërsa licencën për të operuar sipas juridiksionit të Kosovës e pranoi pas një viti.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), më 6 korrik të këtij viti, ka themeluar komisionion për shqyrtimin e dosjeve të bizneseve, në veçanti të atyre me “dokumentacione të dyshimta” dhe me “emërtime anti-kushtetuese”, ku 48 biznese kanë rezultuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
MINT-i ia ka pezulluar certifikatën e biznesit edhe televizionit më të madh privat në vend “Klan Kosova”, me arsyetimin se në dokumentet e regjistrimit të bizenesit në fjalë, dy qytete të Kosovës – Peja dhe Gjakova – figuronin si pjesë e Serbisë, të shkruara gjithashtu në gjuhën serbe.