Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Gjatë ditës së djeshme është arrestuar një person në afërsi të Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi i njëjti u kap me një armë me karikator dhe fishekë.
Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Edison Hotin, 42-vjeçar.
Hoti është ndalur për kontroll nga një njësi policore dhe në çantën e tij të dorës është gjetur një armë me karikator dhe fishekë të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, pas ngjarjeve të fundit ku u vranë tre persona në lokale të ndryshme në Kosovë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike, ka hartuar dhe që nga sonte ka filluar së zbatuari një plan operativ i cili do të shtrihet në tërë vendin.
Sipas njoftimit, “detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato”.
Mes tjerash, u tha se do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.
Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“