Serbia pretendon "fitore" në Athinë, e marrin si "konfirmim të madh" për mosnjohje të Kosovës takimin me Zelensky-in

Lajme

Serbia pretendon "fitore" në Athinë, e marrin si "konfirmim të madh" për mosnjohje të Kosovës takimin me Zelensky-in

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 21:25
Aleksander Vuçiq dhe Volodymyr Zelensky

Nënshkrimi i Ukrainës në një letër tejet mbështetëse – nga rreth 50 figura të larta politike amerikane dhe evropiane – ndaj Kosovës dhe thirrje për heqje dorë nga “beogrado-centrizmi”, jo pak kujt i kishte ngjallur një prospekt të një përafrimi në marrëdhëniet ndërmjet Kievit dhe Prishtinës.

Në vend u mirëprit dhe u brohorit si shpresëdhënëse pas nënshkrimit të atyre qëndrimeve nga Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Ukrainës, Oleksandr Merezhko, ky i fundit bashkëpartiak i Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Beogradi, s’do shumë mend që kishte reaguar në histeri, ku edhe vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të shpërthente në vlerësime si “po ta njihte Ukraina Kosovën, do të humbiste githçka brenda natës” si dhe bënte thirrje që Zelensky të jetë “më i mençur” se Merezhko.

Kjo krijoi fërkime në distancë mes akterëve politikë në Beograd dhe Kiev.

Brenda kësaj atmosfere, tashmë Beogradi pretendon të ketë korrur fitore në takimin e liderëve rajonal në Athinë, në 20 vjetorin e Deklaratës së Selanikut, ku mysafir special ishte vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ky i fundit zhvilloi takime me të gjithë, përveç me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin – të cilit ia shtrëngoi dorën vetëm kalimthi.

Në rrjetin e tij në Twitter, Zelensky me t’u kthyer në vendin e tij njoftoi për të gjitha takimet që kishte zhvilluar në Athinë, dhe veç një emër e veç një shtet s’përmendej – Kurti dhe Kosova.

“Pata bisedime me krerët e Bullgarisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Komisionit Evropian. Po kthehemi në shtëpi me mbështetje të re politike dhe marrëveshje që e bëjnë Ukrainën më të fortë”, tha Zelensky në një videomesazh.

Zelensky, megjithatë, takoi Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku për takimin me të njoftoi se kanë biseduar për “paprekshmërinë e kufijve” dhe “kartën e OKB-së”; tema dy këto që Vuçiq i ka të programuara në secilën pjesë të paraqitjeve të tij sa i përket Kosovës; duke u thirrur në gjoja validitetin e Rezolutës 12/44 të vitit 1999; Rezolutë e cila kjo e cila gjen mbështetjen të Federatës Rues dhe Kinës në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Patëm bisedë mbi respektimin e Kartës së OKB-së dhe paprekshmërinë e kufijve”, shkroi Zelensky, dhe kjo deklaratë morrin hovin në ballinat e mediave të afërta me qeverinë serbe, si konfirmim nga vetë Zelenksy se Ukraina do të vazhdojë mosnjohjen e Kosovës.

Gjatë kësaj kohe, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, zhvilloi takim me ambasadorin rus në Beograd, Aleksnadar Boçan Harçenko, ku refuzimi i sërishëm i Vuçiqit, edhe në Athinë me liderë të BE-së, për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndja Federatës Ruse, u komentua “pozitivisht” nga Harçenko.,

Daçiq i dha jehonë deklaratës së Zelensky-it për “papreshkmëri të kufijve” për çka tha se Serbisë iu konfirmua qëndrimi ukrainas se nuk ka njohje të Kosovës, dhe se nënshkrimi i Merezhkos në letrën mnbështetëse ndaj Kosovës ishte “thjesht pikëpamje individuale” e jo qëndrim i Kievit.

“Kosova po provon të lobojë përmes tyre (Merezhkos) për ndryshim të qëndrimit të Ukrianës, dhe kjo neve na thotë që janë qëndrime ende individuale, dhe mendoj se këtu është rëndësia e takimit me Zelensky-it”, tha Ivica Daçiq duke folur në Tv Pink.

Sepse përndryshe, shprehet i bindur Daçiq, “kjo do t’ua shkatërronte të tërën mbi çka mbrohen” dhe se “është tejet e rëndësishme që këtë (mosnjohjen e Kosovës) ta dëgjoni nga vetë zyrtarët e Ukrainës”.

“Ukraina është vend mik për neve, kurrë s’kemi pasur probleme, na kanë ndihmuar kur ne ishim nën sanksione”, ka vazhduar Daçiq.

Edhe këshilltari i Zelensky-it, Mihail Podoljak, duke folur për N1, tha se sa i përket Kosovës, Ukraina mbetet në qëndrimin e kahershëm të saj.

"Ekziston një qëndrim zyrtar i Ukrainës që nënkupton se Kosova është, në fakt, territor serb. Në fakt, nuk është serb, por është territor i panjohur”, ka deklaruar ai.

Vuçiq, pas takimit me Zelensky-in tha se “prekëm zvhillimet në Ukrainë dhe Kosovë” si dhe “ia theksova sërish që Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat