Njëri nga të dyshuarit për incidentin me të shtëna me armë që ndodhi para dy ditësh në Hajvali të Prishtinës është arrestuar nga Policia, teksa i dyshuari kryesor akoma nuk është kapur.
Për motive akoma të panjohura, ky i fundit dyshohet se e ka gjuajtur me armë një 31-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit që po hetohen lidhur me këtë rast janë Haxhi Berisha, i cili tashmë është arrestuar, si dhe Visar Gashi, i cili ndodhet akoma në arrati.
I dyshuari Gashi ka gjuajtur në drejtim të viktimës dhe më pas bashkë me të dyshuarin tjetër janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e tyre.
I riu që pësoi lëndime të rënda është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur disa gëzhoja që janë sekuestruar si prova lidhur me rastin.
Ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i dyshuari Berisha është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore, që zbardhin rrethanat e ngjarjes.