Ja ç’thotë Serbia për terroristët në Veri të Kosovës
Grupi i terroristëve të Banjskës nuk ka asnjë lidhje me Beogradin. Kështu tha sot ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç.
Më shumë se menaxhim amatoresk i bombës që i plasi në duar, kjo është një tallje safi e Beogradit zyrtar me botën perëndimore.
Nuk mund të ishte më e qartë se kaq kopja me Putinin. Ky i fundit edhe të vret me zë e figurë, pa asnjë lloj kamuflazhi dhe të thotë se Rusia nuk ka gisht në këtë punë. Megjithatë, deklarata e numrit një të diplomacisë serbe është një këmbanë alarmi për shurdhërinë ndërkombëtare, të paktën të një pjese, sidomos andej afër Brukselit.
Kur e gjithë bota diplomatike, politike, ushtarake, mediatike po fakton dita-ditës se kush fshihet pas sulmit terrorist të 24 Shtatorit, nga Brukseli thonë përditë se po presin rezultatet e hetimit para se të veprojnë ndaj Serbisë. Po nëse ky sulm nuk kishte asnjë lidhje me Beogradin, siç thoni ju zoti Daçiç, pse i vajtuat, i puthët, u përkulët e i nderuat si të ishin bijtë tuaj heronj?!
Apo do thoni që edhe me Listen Serbe nuk keni lidhje?!
Justifikimet amatore të Beogradit nuk ndalen me kaq. Njeriu i Vuçiçit thotë me plot gojën, se nuk kanë asnjë interes e leverdi të vrasin shqiptarët. E kësaj deklarate i përgjigjet më së miri historia, jo ne në fakt.
Që Beogradi kishte lidhje direkte me atë grup, e kanë thënë burra të mëdhenj, ushtarakë e gjeneralë me përvojë sa vetë jeta, e nga vende kyçe të Perëndimit, pa u marrë pastaj me provat që ka publikuar Kosova. E nga kjo e fundit është prononcuar për ‘The Guardin’ sot, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla. I cili, ka treguar të gjithë rrugën e ndjekur nga grupi terrorist për të arritur qëllimin e tyre në Kosovë. Ai thotë se edhe armatimet janë marrë nga ushtria serbe, megjithatë të gjitha këto prova, shton Sveçla, sot janë në duart e aleatëve të Kosovës.