Diplomati Albert Prenkaj, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 ka folur në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Rama sa i përket situatës së tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai u shpreh se qëndrimi i fundit i Ramës kishte qëllim pozitiv dhe përkrahës për Kosovën, edhe pse më herët ai ka mbajtur linjën e qëndrimeve të Brukselit zyrtar si kreu i një shteti anëtar të NATO-s dhe që synon BE-në.
Sipas tij nëse Asociacioni i komunave serbe në veri të Kosovës do të krijohej që në fillim situata nuk do të tensionohej, pasi krijimi i tij parashtrohet edhe në paktin e Ahtisarit.
“Unë besoj se si kryeministër i një shteti vëlla të Kosovës, Edi Rama ka qëllimin më të mirë me qëndrimin e tij për Kosovën. Rama është kryeministër i një shteti anëtar të NATO dhe që synon BE-në. Qëndrimet e tij kanë qenë gjithmonë në linjë me qëndrimet e Brukselit zyrtar, mirëpo situata ka agravuar dhe ai përfundimisht ka vendosur të përkrahë Kosovën dhe duke kritikuar Brukselin.
Unë mendoj se asociacioni i komunave serbe duhet të krijohej që më herët. Ai është paraparë në dokumentin e Ahtisarit dhe është pjesë e kushtetutës së Kosovës. Nëse do themelohej që në fillim besoj se do kishim një situatë krejt tjetër. Besoj se nuk do vinim deri në këtë pikë”, u shpreh ai.