Serbia redukton ‘në minimum’ komunikimin me KFOR-in, Vuçeviq: Janë bërë mision vëzhgues pasiv

Lajme

Serbia redukton ‘në minimum’ komunikimin me KFOR-in, Vuçeviq: Janë bërë mision vëzhgues pasiv

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 12:28
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq

KFOR-i po duket të jetë një “mision vëzhgues dhe jo forcë e armatosur”, ka thënë Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, në një intervistë për median serbe “Kosovo-Online”, ku u ankua gjerësisht rreth rolit dhe qëndrimit mbështetës të KFOR-it dhe EULEX-it ndaj Kosovës. Për këtë arsye, tha ai, “në këtë moment ne kemi reduktuar komunikimin me KFOR-in në minimum; në atë nivelin së paku teknik që duhet të ekzistojë”.

“Jemi tejet të pakënaqur me reagimin e KFOR-it”, tha ministri serb i mbrojtjes, teksa shtoi se ata “është dashur të marrin kontrollin e atij lokacioni (Banjskës) dhe të ndalojnë konfliktin”.

“Kanë kapacitetin, kanë legalitetin, kanë legjitimitetin, dhe janë të instaluar si një mision që duhet të kontrollojë situatën e sigurisë”, ka thënë ai. Ministri i Mbrojtjes së Serbisë tha gjithashtu se “nuk mund të qëndrojmë të shurdhër dhe të verbër” ndaj asaj që ai e quajtim, “qëndrim pasiv” i KFOR-it.

“Si ka mundësi që KFOR-i nuk hyri në atë cilësi apo me kapacitet të mjaftueshëm dhe e ndaloi gjithë zhvillimin e asaj ngjarje? Pse EULEX-i nuk e mori juridiksionin dhe nuk kreu një hetim apo kontroll policor? Kush e lejoi të zgjasë me orë të tëra, që gjuetia e serbëve të zgjasë me orë të tëra?”, shtoi ai.

Vuçeviq vuri në pikëpyetje krejt atë që, sipas tij, “do të duhej të ishte qëllimi” i KFOR-it dhe EULEX-it. “Atëherë çfarë qenka qëllimi i tyre...të dëgjohen me Ushtrinë e Serbisë dhe të bëjnë pyetje se çfarë po ndodh në Zonën (kufitare) e Sigurisë?”, pyeti ai.

Pyetur nga mediumi se çfarë janë përgjigjet e KFOR-it kur u shtrohen këto “ankesa”, Vuçeviq shpreht se “pak a shumë përgjigjen asisoji që i shkon në favor Kurtit”.

“Nuk kanë përgjigje – kanë përgjigje boshe teknike; që Policia e Kosovës kanë të drejtë të reagojnë ndaj një sulmi terrorist. Pak a shumë asisoji që i shkon në favor Kurtit”.

Pyetur se çka pret nga komandanti në ardhje turk i KFOR-it, Vuçeviq thotë se “sinqerisht” Turqia është një promovuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës, por edhe armatosjes së FSK-së dhe shndërrimit të kësaj të fundes në ushtri të plotë.

“Turqia është një nga sponsorët kryesorë të armatosjes dhe pajisjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe promotori apo sponsori i transformimit të FSK-së në atë që ata e shohin nesër si Ushtria e Kosovës, Ushtria e Re Shqiptare. Kur thonë 'Kosova' kjo është një histori thjesht shqiptare, të mos gënjejmë. Fakti që ata gjejnë një rom, një boshnjak dhe një kuazi-serb është e gjitha një komponent shqiptar, një histori shqiptare”, thotë ai.

“Ata po përpiqen të krijojnë një shtet të ri shqiptar, politika e Kurtit është të krijojë një Shqipëri të Madhe, politika e tij nuk është vetëm një Kosovë e pavarur, pasi siç duket edhe shumica e serbëve nuk mund ta njohin këtë. Politika e tij çon në bashkimin e të gjitha trevave shqiptare. Nuk e fsheh, kudo performon kështu. Njerëz, duhet të dëgjoni vetëm atë që thotë dhe çfarë bën. Gjithçka është shumë e qartë, nuk ka asgjë mistike apo të fshehur, gjithçka është transparente me të”, ka shtuar mes tjerash ai.

Vuçeviq bëri thirrje sërish që KFOR-i të merr “nën kontroll” veriun, teksa vazhdoi të hedh vrer ndaj (mos)reagimit të tyre të dielen gjatë sulmeve terroriste të udhëhequra nga Milan Radojçiq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat