Analisti ushtarak Aleksandar Radiq tha se ushtria serbe nuk duhet të hyjë në Kosovë pa miratimin e NATO-s.
Radiq tha se hyrja eventuale e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës do të shkaktonte konflikt të armatosur me KFOR-in dhe NATO-n.
“Në këtë moment, njerëzit që udhëheqin Serbinë po luajnë me qytetarët, duke krijuar një imazh të rremë se si mund të bëhen gjëra që në fakt nuk mund të bëhen. Hyrja eventuale e ushtrisë serbe në Kosovë, sipas Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244, varet nga qëndrimi i KFOR-it, dhe KFOR-i në thelb është NATO. Prandaj, pa pëlqimin e NATO-s, ushtria serbe nuk mund të hyjë në Kosovëi”, ka shpjeguar Radiq.
“Hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë nënkuptonte një konflikt të armatosur me KFOR-in, pra me NATO-n”, theksoi ai.
Duke komentuar zhvendosjen e shpeshtë të njësive të Ushtrisë Serbe pranë kufirit me Kosovën, Radiq tha se kjo ishte një demonstrim i forcës për përdorim të brendshëm.
“Qëllimi është të bindet qytetari i zakonshëm se ky vend është i gatshëm të mbrojë ushtarakisht serbët në Kosovë dhe në fund doli se në Kosovë ka ndërhyrë një formacion që ka qenë jashtë sistemit dhe që nuk është treguar i trajnuar dhe profesional. ”, tha analisti.
Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq tha sot se Ushtria serbe, nëse merr urdhër nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, si komandant i përgjithshëm, që njësitë e saj të hyjnë në territorin e Kosovës do të kryejë një detyrë të tillë “me efikasitet, profesional dhe me sukses”.
“Edhe atëherë paraprakisht do t’ua kishin lajmëruar njësive, përkatësisht komandës së KFOR-it. Ne nuk do të bënim asgjë pas shpinës së askujt. Absolutisht duke respektuar normat e së drejtës publike ndërkombëtare, pra të ligjit”, tha Vuçeviq.
Ai shtoi se Serbia nuk është dashur të marrë një vendim të tillë deri më tani dhe se do të bëjë gjithçka që është e mundur që të mos ndodhë një skenar i tillë.