Deri sa liderët e Kosovës i druhen mundësisë së përsëritjes së sulmeve nga ana e strukturave kriminale të Serbisë, siç ngjau më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, diplomatët perëndimorë kërkojnë nga Serbia garancione e premtime që ngjarje të ngjashme më nuk do të ndodhin. Çfarë po ndodh?
Pas takimi me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter welch, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që të dënohen sulmet e fundit të Serbisë mbi Kosovën.
Në të kundërtën, sipas tij, sulmet e tilla mund të përsëriten.
“Institucionet e inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut të sulmeve nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë prandaj të gjitha këto përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Është koha që Serbia të mbetet përgjegjëse, përndryshe këto sjellje agresive do të vazhdojnë edhe më tutje”, është shprehur Kurti.
Premtimet dhe garancitë e kërkuara
Manuel Sarrazin, i dërguar i Gjermanisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë një intervistë për Deutche Welle-n, në të cilën ka folur për shumë tema, përfshirë situatën e sigurisë mes dy vendeve pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në DW, Sarrazin ka treguar se Serbia ka premtuar se nuk do të përfshijë ushtrinë apo policinë në Kosovë.
Tutje, ai deklaroi se shpresojnë që situate do të jetë nën kontroll tani.
“Situata është deri diku e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë masa shpërshkallëzuese nga pala serbe, por deri diku edhe nga pala kosovare. Ne kemi premtimin e qartë nga Serbia, se nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë. Kështu që ne po shpresojmë që situata do të jetë nën kontroll tani, por duhet të bëjmë hapa më tej me masa shpërshkallëzuese për të mbajtur situatën të qetë dhe për t'u kthyer sërish në një atmosferë produktive.” – deklaroi ai.
Tutje, Sarrazin theksoi se duhet të ketë ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet që njerëzit në veri të ndihen të sigurt.
“Nga njëra anë, duhet të kemi masat shpërshkallëzuese. Serbia duhet ta bëjë të qartë se nuk do të bëjë përpjekje për dhunë ndaj Kosovës. Duhet të ketë një ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit. Dhe gjithashtu është e qartë se diçka e tillë nuk duhet të përsëritet dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më shumë që njerëzit në veri të Kosovës të ndihen të sigurt.” – shtoi Sarrazin.
Ndërsa, Christopher Hill, ambasador i ShBA-së në Serbi, ka dhënë një intervistë për medium opozitar serbe, N1, ku ka folu për situatën e dialogut dhe të sigurisë në mes Kosovës e Serbisë.
Sipas Hillit, duhet garancione se një Banjskë e dytë nuk do të ndodhë.
"Ajo që dimë deri më tani nuk ka kuptim, duhet të kemi garanci se nuk do të ndodhë më. Në të vërtetë nuk ishte e dobishme. Në fund të fundit, ne kemi nevojë për një dialog dhe një proces që duhet të përfundojë me lëshime të caktuara. Ajo që ndodhi në Banjska nuk është e dobishme për diplomacinë tonë.” – deklaroi Hill. në një intervistë për N1.
"Është shumë e rëndësishme që ne t'i kthehemi dialogut. Sapo njerëzit të shohin 'oh ky do të jetë rezultati', ata do të jenë më pak të prirur për t'u përfshirë në dhunë kur ta dinë rezultatin. Ne kemi nevojë për një lloj Asociacioni, një çështje tjetër është se na duhet pjesëmarrja ndërkombëtare e Prishtinës.” – shtoi ai.