Vuçiqi takon pesëshen diplomatike: Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka takuar pesëshen diplomatike të përbërë nga diplomatë evropianë dhe amerikanë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Vuçiq ka thënë se pret takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim.
“Takimi i vështirë me pesëshen. Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, është shprehur Vuçiq.
Sot gjatë ditës, pesëshja diplomatike ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pesë emisarët arrijnë në Beograd, fillojnë takimin me Vuçiqin
Pesëshja e emisarëve perëndimorë ka arritur në Beograd rreth orës 14:30, saktësisht në presidencën serbe atje dhe ku kanë filluar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Pesëshja e udhëhequr nga Lajçak dhe e përbërë nga Escobar, Plotner, Bone dhe Cattaneo gjatë paradites kanë qëndruar në Prishtinë ku janë takuar me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i kanë propozuar edhe një plan të ri për atë se si duhet ecur përpara me dialogun.
Lajcak ka thënë se të njëjtin plan do t’ia dorëzojnë edhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic prej të cilit presin gjithashtu komente.
Presidenti serb pak para këtij takimi kishte dramatizuar duke thënë se s’ka fjetur me netë të tëra dhe se ky takim i sotëm do të jetë prej ditëve më të vështira për të dhe për Serbinë.