Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë në Singapor, për të cilën ka thënë se është e përqendruar në potencialin ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Osmani ka zhvilluar një takim të përbashkët të bizneseve nga Kosova e Singapori.
“Takimi i përbashkët i bizneseve nga Kosova e Singapori është hap premtues për rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve tona. Ishte angazhim që e morëm bashkë me palën singaporiane në qershor të vitit 2022 dhe e realizuam këtë javë, bashkë me kompani të suksesshme kosovare e kompani nga Singapori", ka theksuar Osmani në Facebook.
Më herët, Osmani ka thënë se Singapori është një shembull i shkëlqyeshëm për Kosovën, pasi nga dikur një ekonomi e papërfillshme, është shndërruar në pak dekada në një ndër vendet më të zhvilluara në botë.