Ukraina ka prova se Rusia synon të shkaktojë një luftë mes shteteve ballkanike. Paralajmërimi erdhi dje nga presidenti Volodimir Zelensky, i cili në komentet për mediat afrikane ngre alarmin se pas Lindjes së Mesme, Rusia do të shpërqendrojë vëmendjen e botës, me një krizë në rajonin e Ballkanit. Zelensky pretendon se Rusia dhe aleati i tij Irani qëndrojnë pas ngjarjeve në Izrael.
“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne kemi siguruar informacione nga inteligjenca. Rusia ka një plan të gjatë. Kishim fillimisht Lindjen e Mesme dhe shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, u shpreh Zelensky.
Shqetësim për deklaratën e presidentit ukrainas ka shprehur edhe kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus. Knaus në platformën “X” ka shkruar se “është e qartë, por BE-ja, Gjermania dhe të tjerët po qëndrojnë në gjumë. Po afrohet një dështim tragjik”.
Gazetari për çështje evropiane dhe të NATO-s, Stephan Israel ka shpërndarë deklaratën e presidentit Zelensky, derisa ka shkruar “ndërsa Brukseli përgjumet”. Gjithashtu alarmin se Ballkani do të përfshihet në një luftë të madhe e ka dhënë dhe George Friedman.
“Serbia po përgatitet për luftë, mendoj se do të ndodhë dhe do të përhapet përtej Ballkanit”, paralajmëron George Friedman, parashikues gjeopolitik i njohur ndërkombëtarisht, strateg për çështjet ndërkombëtare, themelues dhe president i "Geopolitic Futures".
Ai thekson se dy burime në të cilat ka besim të madh i kanë thënë se Serbia po përgatitet për luftë.
“Serbia dhe Kosova bënë një luftë të përgjakshme në vitet 1998-99 në të cilën SHBA dhe NATO u rreshtuan në anën e Kosovës dhe bombarduan Serbinë. Shpresoj që këto burime të jenë të gabuara, por mendoj se do të ndodhë dhe do të përhapet edhe jashtë Ballkanit”.