Ish-ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Goran Bogdanoviq, ka thënë se riregjistrimi i automjeteve me targa RKS është një tjetër humbje e politikës së gabuar të Beogradit ndaj Kosovës.
Bogdanoviq tha për agjencinë Beta se autoritetet në Beograd dhe Lista Serbe nuk i kanë lejuar serbët në veri të Kosovës të riregjistrojnë veturat e tyre me targa RKS deri vonë, dhe se tani atyre u kërkohet ta bëjnë këtë deri më 1 dhjetor.
“Autoritetet në Beograd i tradhtuan serbët në Kosovë me një politikë të gabuar. Të gjitha problemet me të cilat ballafaqoheshin serbët në veri të Kosovës në një vit e gjysmë të fundit ishin për shkak të targave, sepse Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe nuk lejuan riregjistrimin. Për shkak të barrikadave dhe konflikteve me autoritetet e Kosovës, shumë serbë u detyruan të largoheshin nga Kosova. Tani përmes kompanisë shtetërore serbe MTS po marrim thirrje për të riregjistruar veturat tona me targa RKS deri më 1 dhjetor”, tha Bogdanoviq.
Sipas tij, serbët janë të detyruar t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS.
“Nuk duhet të dënohen personat që kanë marrë targa RKS, sepse është e qartë se qeveria aktuale në Beograd ka hequr dorë nga Kosova”, ka theksuar Bogdanoviq.
Ai vlerësoi se targat nuk janë atribut thelbësor i shtetësisë.
“Lista Vuçiq dhe Srpska ia dorëzuan Prishtinës të gjithë sistemin e drejtësisë dhe sigurisë, pranuan që ligjet e Kosovës të zbatohen edhe në veri të Kosovës, ia dorëzuan tërë sektorin energjetik dhe të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe shtetërore. Është hipokrite dhe e dëmshme për serbët që targat janë problem, dhe ju më parë ia keni dorëzuar Prishtinës gjithë pronën serbe dhe të gjitha atributet e shtetësisë. Targat nuk janë pengesë për serbët në Kosovë”, ka shpjeguar Bogdanoviq.
Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, në tre javët e fundit në veri të Kosovës janë riregjistruar më shumë se 2000 vetura nga KM në targa RKS.