Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se beson se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë diçka më tepër sesa të lëshojë një deklaratë në lidhje me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos lejuar që zgjedhjet e Serbisë më 17 dhjetor të mbahen edhe në Kosovë pa marrëveshje ndërshtetërore.
“Duhet të jesh i verbër politikisht që të mos e shohësh se çfarë po bën Kurti”, tha Vuçiq, raporton “Tanjug”. “Siç i thash sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presim nëse do të lëshojnë ndonjë deklaratë, ku do të thonë se është në kundërshtim me parimet demokratike”.
Vuçiqi ka folur në Batajnicë, ndërsa ka njoftuar për investimet e reja në pajisje ushtarake.
Ka thënë se janë blerë 11 helikopterë luftarakë Mi-35P nga Qipro dhe dy Airbus.
Po ashtu Vuçiq ka thënë se do të shtojë numrin e ushtarëve në njësitë speciale. Ai ka thënë se pagat janë më të mëdha tash dhe se do të ketë përforcime në janar.
“Të gjithë në Ukrainë mësuan se si luftohet një luftë dhe tash po blejnë me mençuri. Edhe ne do të vazhdojmë të blejmë. Sa më shumë të kritikohemi për këtë, aq më tepër do të blejmë. Ne do të kujdesemi të mos mbesim pa gjë”, ka thënë Vuçiq.